Vendosni fjalën kyçe....

A ka mjaftueshëm vaksina në botë? Një info elementare se çfarë është “Covax”-i


Në 11 janar Shqipëria nisi vaksinimin kundër Covid-19 me 975 doza Pfizer, që erdhën në vend teksa kreu i qeverisë nuk e zbuloi vendin e BE-së që i kishte ‘dhuruar’.

Pak ditë më pas, Gogo.al publikoi kontratën e lidhur me Shqipërisë e kompanisë Pfizer për sasinë prej 500 mijë dozash kundër Covid-19.

Në kontratë sqarohet se ndërsa në janar e shkurt pritet të vijnë sasitë e para të vaksinës, pjesa tjetër është e paqartë se kur mund të mbërrijë, duke e lënë të hapur ardhjen nga korriku 2021 deri në fund të dhjetorit të këtij viti.

Thënë kjo, rreth 41 mijë dozat e Pfizer që do mbërrijnë në vend në dy muajt e parë janë një sasi minimale që nuk mjafton aspak për të nisur një proces të mirëfilltë vaksinimi për popullatën e gjerë.

Në emisionin ‘Opinion’ të së enjtës, ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, pohoi se Shqipëria nuk po qëndronte duarkryq për sa i përket sigurimit të vaksinës duke thënë se priste një sasi vaksinash nëpërmjes nismës Covax. Po çfarë është kjo nismë dhe për çfarë bëhet fjalë?

Ç’është Covax?

Covax është një aleancë ndërkombëtare e vaksinës e ngritur për të siguruar qasje te mjetet për të luftuar pandeminë Covid-19 sidomos për vendet e vogla që nuk kanë shumë akses ndërkombëtar dhe nuk mund të sigurojnë marrëveshje të drejtpërdrejta me kompanitë e fuqishme në rastet kur ka mungesë vaksinash në treg.

Vendet respektive paraguajnë një shumë të caktuar për të qenë në listën e pritjes për marrjen e vaksinës sapo ajo të jetë e mundur. Pjesë e Covax janë CEPI (Coalition for Epidemic Preparedness Innovations) dhe OBSH (Organizata Botërore e Shëndetit) ndërsa e gjithë ndërmarrja koordinohet nga GAVI.

GAVI është një tjetër organizatë ku bëjnë pjesë OBSH-ja, UNICEF, Banka Botërore, laboratorë të ndryshëm  e kompani farmaceutike si dhe Fondacioni Bill e Melinda Gates.

Në rastin e Shqipërisë janë paguar 3.9 milionë dollarë për të qenë pjesë e aleancës Covax dhe marrëveshja është miratuar në Kuvend por nuk dihet ende se sa është sasia e vaksinave që do mbërrijë nëpërmjet saj, të parashikuar fillimisht për sasinë e parë që pritet të mbërrijë në prill 2021.

Ajo që dihet është se deri tani Covax ka nënshkruar marrëveshjen me Pfizer për 40 milionë doza, ndërsa mund të nënshkruajë një marrëveshje edhe për vaksinën Oxford/Astra Zeneca për dhjetëra milionë doza të tjera.

Vaksinat në treg

Deri tani në botë po përdoren disa lloj vaksinash kundër Covid-19. E para që mori miratimin ishte vaksina ruse Sputnik V. Kompania ruse ka nisur prej javësh të prodhojë masivisht vaksinat, shumicën e të cilave po e eksporton në Azi e Amerikën e Jugut. Pak pas saj u kompania Pfizer / BioNTech e pas saj Moderna prezantuan vaksinat e veta kundër pandemisë Covid-19.

Të tjera vaksina të njohura që po përdoren janë ato të Oxford/AstraZeneca dhe vaksinat kineze Sinovac e Sinopharm.

Ndërsa kompanitë pretendojnë mbrojtje të ndryshme ndaj koronavirusit, zyrtarisht më efektivja është Pfizer, pas saj Moderna e në vendin e tretë vjen Sputnik V. Asnjëra prej kompanive ndërkombëtare nuk ka gjendje mjaftueshëm për të përballuar kërkesën e madhe që ka tani për tani tregu ndërkombëtar për vaksinat kundër Covid-19.

Pfizer njoftoi para pak ditësh se do ketë vonesa në furnizimin me vaksina në Europë. Të njëjtën deklaratë bëri edhe Oxford/Astra Zeneca. Po kështu thuajse të gjitha kompanitë njoftojnë se po prodhojnë e po shpërndajnë vaksina ndërsa procesi i vaksinimit në botë po ecën me faza.

Për sa u përket efekteve anësore, thuajse të gjitha raportojnë të njëjtat ndërsa për sa i përket çmimit, më të lirin e ofron Oxford/AstraZeneca (4 dollarë doza), Sputnik V (10 dollarë doza) e Pfizer (14-20 dollarë doza). Ndërsa Moderna (32-37 dollarë doza) e vaksina kineze Sinovac (30 dollarë doza) kanë çmime relativisht të larta. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *