Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti i frikshëm te ambasada italiane, policia sqarim zyrtar: Shtetasi S.D. s’është favorizuar për asnjë çast nga policia


Policia ka reaguar me një deklaratë zyrtare lidhur me aksidentin e frikshëm që ndodhi para pak ditësh në rrugën mes RTSH-së e ambasadës italiane, ku u përplasën dy makina.

Një mjet pasi kaloi semaforin me të kuqe u përplas me një mjet tjetër, po fatmirësisht pa viktima. Pas kësaj, drejtuesi i mjetit që kaloi më të kuqe u ndëshkua vetëm me gjobë ndërsa në media qarkulloi lajmi se ai ia kishte hedhur paq me një gjobë edhe pse kaloi semaforin më të kuqe duke u bërë shkak për aksidentin.

Për më tepër, personi që u bë shkak për aksidentin, Stiveljan Dashi, rezulton se ka pasur edhe 43 gjoba të tjera për tejkalim shpejtësie e shkelje të tjera por pavarësisht kësaj kishte patentë.

Në sqarimin e policisë thuhet se  përtej pretendime të lajmeve mediatike, personi në fjalë nuk rezulton të jetë i afërm i ndonjë zyrtari drejtues në Policinë e Shtetit dhe se nuk është favorizuar për asnjë çast nga asnjë zyrtar policie.

Policia e Shtetit – Sqarim

Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media përgjatë ditëve të fundit, për një aksident rrugor të ndodhur në kryqëzimin e rrugës “Papa Gjon Pali II” me rrugën “Ismail Qemali”, ku shtetasi S.D., duke vazhduar lëvizjen me mjet gjatë kohës që semafori ishte me dritë të kuqe dhe është përplasur me mjetin tip “Skoda Rapid”, me drejtues shtetasin D.T. dhe pasagjer shtetasin A.M. e për pasojë u dëmtuan 2 shtetas, jashtë rrezikut për jetën, sqarojmë opinion publik se:

Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin rrugor nuk është i afërm i ndonjë zyrtari drejtues në Policinë e Shtetit dhe nuk është favorizuar në asnjë moment nga asnjë zyrtar policie.

Stukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me këtë ngjarje kanë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, në ngarkim të qytetarit S.D.

Njëkohësisht, Policia Rrugore e Tiranës ka kryer të gjitha veprimet administrative.

Njoftimi për aksidentin rrugor është pasqyruar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, në përmbledhjen ditore të ngjarjeve që publikohet, si çdo ngjarje tjetër pa pasoja fatale.

Linku 👇 https://www.asp.gov.al/raporti-ditor-i-ngjarjeve-policia…/

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të luftuar krimin dhe zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, ndaj fton median që për çdo rast të kërkojë informacion zyrtar pranë strukturave përgjegjëse për dhënien e informacionit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *