Presidenti Joe Biden nënshkroi të premten urdhra të rinj ekzekutivë për të ofruar ndihma për problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Këto akte ekzekutive merren ndërkohë që Kongresi analizon propozimin për një paketë stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh të parashtruar nga presidenti.
Duke prezantuar aktet ekzekutive, zoti Biden theksoi situatën kritike ekonomike në vend:
“Nënpresidentja Harris dhe unë u informuam nga ekipi ekonomik. Vazhdojmë të jemi në një krizë shëndetësore që ndodh një herë në shekull që ka çuar në krizën ekonomike që ka ndikuar rëndë në tregun e punës. Kriza vetëm po thellohet,” tha presidenti, raporton VOA.
Urdhrat synojnë të shtojnë ndihmat ushqimore, ta bëjnë më të lehtë për personat në nevojë që të kërkojnë asistencë sociale si dhe të mbrojnë të papunët, ndërkohë që rrisin pagën minimale në 15 dollarë.
“Nuk mund t’i lëmë njerëzit të uritur. Nuk mund t’i lëmë të dëbohen nga shtëpitë. Nuk mundemi dhe nuk do t’i lëmë. Nuk mund të lejojmë që të humbin punën. Duhet të veprojmë tani”.
Një nga urdhrat ekzekutivë të presidentit kërkon nga Departamenti i Bujqësisë të ndryshojë rregulloret për ndihma ushqimore, në mënyrë që qeveria t’u ofrojë më shumë fonde nevojtarëve.
Fëmijët që nuk hanë dot mëngjes e drekë në shkollë për shkak të mbylljeve nga koronavirusi mund të përfitojnë nga një rritje prej 15% e ndihmave ushqimore. Familjet me të ardhura të ulëta mund të kërkojnë mbështetje nga Programi për Ndihmë Ushqimore. Formula e përdorur për të llogaritur shumën që merr një familje do të lejojë ndihma më të mëdha, sipas një përllogaritjeje që Shtëpia e Bardhë ndau me agjencitë e lajmeve.
Vendimet e Presidentit Biden nuk zëvendësojnë paketën e ndihmës që pritet të miratojë organi legjislativ tha zoti Deese.
Rreth 16 milionë njerëz marrin aktualisht një ndihmë financiare në formë kompensimi në rast papunësie, ndërsa rreth 29 milionë rezultojnë se nuk kanë mjaftueshëm të ardhura për të siguruar ushqim. Gratë, pakicat dhe punonjësit e shërbimeve me të ardhura të ulëta janë dëmtuar më rëndë krahasuar me kategori të tjera. Komuniteti afrikano-amerikan dhe hispanik përballet me nivele më të larta të papunësisë krahasuar me punonjësit e bardhë.
I pyetur lidhur me procesin për gjykimin e ish-presidentit Trump në Senat, zoti Biden tha:
“Nuk kam dëgjuar gjë për hollësitë akoma, por mendoj se nevojitet pak kohë që administrata jonë të vihet në punë. Dua të falenderoj Senatin që miratoi Sekretarin e Mbrojtjes. Duket se do të kemi edhe Sekretarët e Thesarit dhe të Shtetit. Sa më shumë kohë të kemi për të filluar punën në përgjigje të krizës, aq më mirë,” tha zoti Biden.
Si një tregues prove se cili mund të jetë qëndrimi i republikanëve në raport me planet e Presidentit Biden për të miratuar paketën e ndihmës mbi koronavirusin, investimet në infrastrukturë dhe rritjen e taksave, Komisioni i Senatit për Financat votoi unanimisht të premten pro kandidaturës së Janet Yellen për postin e sekretares së Thesarit, duke i hapur rrugë konfirmimit të saj në Senat.
Ligjvënësit republikanë kanë vënë në pikëpyetje shumën e ndihmës për pandeminë dhe propozimin e Presidentit Biden prej 2 trilionë dollarësh për infrastrukturën, projektet e energjisë së gjelbër, arsimin dhe kërkimin shkencor.
Shpresat e Presidentit Biden për të bërë përpara me shpejtësi me axhendën e tij legjislative dhe emërimet në kabinet pritet të ndërlikohen nga nisja e gjyqit në Senat ndaj ish-Presidentit Donald Trump në fillim të javës së ardhshme dhe mosmarrëveshjet dypartiake për çështje të ndryshme në një Senat të ndarë në mënyrë të barabartë.