Vendosni fjalën kyçe....

Eksperti britanik: Edhe personat e vaksinuar mund ta përhapin koronavirusin


Njerëzit që janë vaksinuar kundër koronavirusit ende mund ta transmetojnë atë tek të tjerët dhe për këtë arsye duhet të zbatojnë rregullat e bllokimit. Të paktën kështu ka deklaruar zëvendës-shefi mjekësor në Britani të Madhe, Jonathan Van-Tam.

Në një shkrim për “Sunday Telegraph”, Profesor Jonathan Van-Tam theksoi se shkencëtarët “nuk e dinë ende ndikimin e vaksinës në transmetim”.

Ai tha se vaksinat ofrojnë “shpresë” por shkalla e infeksionit duhet të ulet shpejt.

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hançok, ka thënë se 75 për qind e personave mbi moshën 80-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar tani e kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Të dyja vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca, duhen marrë në dy doza.

Profesori Van-Tam ka thënë se “asnjë vaksinë nuk është” 100 për qind efektive, andaj edhe nuk ekziston mbrojtja e garantuar.

“Është e mundur të kontraktohet virusi në periudhën dy deri në tre javë pas marrjes së një doze dhe është më mirë të priten të paktën tre javë që një përgjigje imune të zhvillohet plotësisht tek njerëzit e moshuar.

Edhe pasi të keni marrë të dyja dozat e vaksinës, ju ende mund t’ia transmetoni koronavirusin dikujt tjetër dhe zinxhiri i bartjes më pas vazhdon.”- është shprehur Van-Tam, citon BBC.

Sipas të dhënave qeveritare, në gjithë Britaninë e Madhe, 5.8 milionë persona janë vaksinuar kundër COVID-19.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *