Sipas nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili, SPAK duhej të kishte reaguar deri më tani pas përgjimeve të antimafias italiane për mafian e Ndragheta-s.
Vasili shprehet se “batakçinjtë” që drejtojnë në Shqipëri bashkinë dhe qeverinë shqiptare janë pjesë e aferave të mëdha shumë të rrezikshme.
Ai thotë se SPAK është sot i thirrur në provë, në provën e tij më të vështirë dhe provën e ekzistencës së tij.
Vasili shton se “shqiptarët dhe opozita shqiptare po vëzhgojnë 24 orë në 24 çdo veprim” dhe se në rast se nuk do të ketë drejtësi do të thotë që “SPAK zgjedh të jetë kundër popullit dhe kundër ligjit”.
Deklarata e Vasilit
Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Ndonëse kanë kaluar 2 ditë nga bërja publike e përgjimeve tronditëse që antimafia italiane ka bërë ndaj një grupi shumë të gjerë mafioz, e ku batakçinjtë që tregojnë në Shqipëri bashkinë dhe qeverinë shqiptare janë pjesë e aferave të mëdha shumë të rrezikshme, ka një heshtje të plotë nga institucioni i SPAK. Të tërë shqiptarët janë shumë të tronditur pasi kanë kuptuar që çdo pronë e tyre, kryeqyteti i tyre e gjithçka, mund të shitet lehtësisht nga qeveria, në këmbim të 20% që ajo përfiton e fut në xhep. Miliarda euro vlerë e tokës, e truallit, e interesave të shqiptarëve, mund të shiten sa hap e mbyll sytë, boll t’i japin 20% qeverisë së Edi Ramës e bashkisë së Erion Veliajt.
Shqiptarët tani kanë kuptuar më së miri se çdo gjë është në mëshirë të fatit dhe është në duart e kthetrat e këtyre mafiozëve grabitqarë në krye të qeverisë e të bashkisë, të cilët nuk ndalen para asnjë afere. Përfundimisht Tirana është një lavatriçe gjigande e parave të pista, e cila po plaçkitet nga mëngjesi deri në darkë, duke rrëmbyer pronën, traditën dhe gjithçka. Po zhbëhet një qytet gjigand, qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë, pre e interesave mafioze të qeverisë të lidhur me Ndranghetën dhe organizma të tjera mafioze ndërkombëtare.
SPAK është sot i thirrur në provë, në provën e tij më të vështirë dhe provën e ekzistencës së tij. Për të thënë nesër që kemi një institucion që mund të ndjekë e të dënojë krimin qeveritar, korrupsionin në nivelet më të larta, apo kemi një institucion të bërë njësh me ta e siguron alibinë e tyre. Provat deri tani janë dëshpëruese. Kemi parë sesi SPAK nga një institucion që dënon veprimet, kthehet në një institucion që këshillon. Dhe rasti i tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë, ministri e cila përmendet në përgjime si pjesë e aferave të dhjetëra tenderave të dhëna një personi të vetëm. Pra SPAK si heton këta tendera të bëra në kohën e pandemisë, në hallin më të madh të shqiptarëve, e ku çmimet e mallrave të blera, të respiratorëve dhe kiteve ishin 3 herë më të larta se çmimi i tregut, këshillon që kjo të mos ndodhë më. Janë grabitur paratë e shqiptarëve dhe SPAK jep këshilla, në vend që të japë dënime e vendime për hajdutët dhe batakçinjtë që me etiketën tender sekret rrëmbejnë paratë e shqiptarëve. Ku të mos harrojmë janë me qindra e me qindra shqiptarë dhe tani që unë flas para jush, të cilët janë të infektuar me Covid, që luftojnë për jetën, që nuk kanë para të marrin barnat, e shëndeti i shumë shqiptarëve përkeqësohet se nuk i kanë këto të ardhura, ndërkohë që batakçinjtë e Shqipërisë e të shëndetësisë, blejnë me 3 fishin artikujt. E SPAK ka heshtur.
Ashtu sikurse SPAK mbylli dosjen e turpshme 184, ku vjedhja e zgjedhjeve kishte brenda nga Kryeministri, ministra, deputetë, drejtorë, çfarë të doni. Por kemi edhe atë SPAK që u katandis tek 184, që u çonte fletë arresti të vdekurve. Njëherë e përgjithmonë ky SPAK nuk mund të vazhdojë më kështu. Përballë ka një kauzë të jashtëzakonshme. Mafia Ndrangheta ka rrëmbyer qeverisjen e Tiranës dhe të Shqipërisë dhe bëjnë ç’të duan. Gropat e hapura anë e kënd nëpër Tiranë, janë gropat ku hidhen kolonat e mafies dhe Ndranghetës në mes të kryeqytetit, në mes të Shqipërisë.
SPAK nuk ka nevojë t’i kërkojë larg provat, me këmbë mund t’i gjejë disa qindra metra larg zyrave të veta dhe sot është vija përfundimtare e ndarjes. E ashtuquajtura drejtësi e re nuk ishte dhe nuk mund të jetë një instrument për të krijuar alibi, që mbyll çështjen, që ngre monumentin e pandëshkueshmërisë. U ngrit dhe pati iluzione të mëdha nga njerëzit, vetëm e vetëm për të krijuar një drejtësi të pavarur, që godet pa mëshirë ata që cenojnë interesat e qytetarëve, interesat e mëdha publike, interesat e mëdha kombëtare. Ja ku është prova! Përballë është antimafia italiane me provat e veta dhe drejtësia shqiptare. Përballë është një institucion që ka luftuar e derdhur gjak siç është antimafia italiane, që ka çuar para drejtësisë kryeministra, ministra, senatorë e të tjerë. Dhe SPAK i sapo pagëzuar në zyrat të cilat ka hyrë, me alibinë e institucionit që do ta luftojë këtë gjë. Ja ku është prova, ja ku është sheshi, ja ku është mejdani.
Shqiptarët dhe opozita shqiptare po vëzhgojnë 24 orë në 24 çdo veprim, çdo manovër që do të bëhet dhe në rast se nuk do të ketë drejtësi të vërtetë dhe dalje përpara përgjegjësive, atëherë përfundimisht SPAK zgjedh të jetë kundër popullit dhe kundër ligjit. Kjo nuk do të tolerohet. Faleminderit!