Vendosni fjalën kyçe....

Perikli Qiriazi: Pse janë shtuar përmbytjet në Shqipëri pas vitit 1990


Shumë prej nesh pyesin se pse janë shtuar përmbytjet e mëdha kohët e fundit dhe a mund të evitohen ato. Studiuesi Perikli Qiriazi përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij në ‘Facebook’ mundohet t’i japë një përgjigje kësaj pyetje.

Ai thotë se përmbytjet lidhen me shkaqe natyrore dhe humane dhe këto shkaqe duhem parë dhe analizuar të pandara nga njëri-tjetri.

Pasi sqaron mirë e mirë shkaqet natyrore të përmbytjeve si shirat intensivë, studiuesi shprehet se në dhjetëvjeçarët e fundit janë shtuar dhe intensifikuar rastet e reshjeve intensive, tej vlerave të tyre mesatare. E kjo besohet se ndodh për shkak të ngrohjes globale të klimës.

Por ai shton se “veprimtaria humane mund të intensifikojë përmbytjet ose t’i evitojë apo minimizojë dëmet”.

Ai përmend disa shkaqe si dëmtimi i bimësisë, dëmtimi i sistemit kullues, keqmenaxhimi i kaskadave të hidrocentraleve etj.

“Me të drejtë shtrohet pyetja pse pas vitit 1990 janë shtuar përmbytjet e mëdha?

Kjo lidhet jo vetëm me shtimin e ngjarjeve jo të zakonshme meteorologjike, por në radhë të parë me veprimtarinë spontane, kaotike humane, si: dëmtimi i madh i bimësisë në pellgjet ujëmbledhëse, që rriti sasinë dhe shpejtësinë e futjes së ujit të reshjeve në rrjedhje; braktisja e sistemimeve malore antierozive; braktisja e mirëmbajtjes, madje dëmtimi i sistemit kullues (argjinaturave, kanaleve kulluese, hidrovorëve etj.), nuk mungojnë as rastet e privatizimit të disa kanaleve kulluese; dëmtimi i shtretërve të lumenjve nga marrja e materialeve inerte; lëvizjet e mëdha të popullsisë, ndërtime pa kriter e vendosja e banesave dhe e aktivitetit ekonomik afër lumit ose në tokën e lumit; keqmenaxhimi i kaskadave të hidrocentraleve etj. Këtë e tregon edhe analiza e përmbytjeve në rajonin e Shkodrës dhe në Myzeqenë e Vlorës.”– thotë Qiriazi.

Ndërsa kujton disa nga përmbytjet më të mëdha të kohës, ai përmend dhe efektin që ka patur ndërtimi i HEC-ve.

“Ndërtimi i hidrocentraleve të kaskadës së Drinit (Vaut të Dejës, Komanit dhe Fierzës) krijoi kushte për të pakësuar përmasat e përmbytjeve, ndërsa ndërtimi i H/C të Bushatit, krahas mirëmbajtjes së sistemit kullues, do ta zgjidhte apo do të shpëtonte Nënshkodrën nga përmbytjet e Drinit e Bunës. Sepse ky H/C, i planifikuar kohë më parë, do të devijonte derdhjen e Drinit në Bunë nga Bahçallëku në mbas Daragjatit. Por ky H/C nuk u ndërtua sipas këtij parashikimi. Austriakët, me koncesion, ndërtuan një hidrocentral për interesat e tyre, në gjysmën e rrjedhjes, duke lënë po në Bahçallëk shkarkimin e Drinit në Bunë. Specialistët theksojnë se edhe dy ndërtime të tjera të fundit ndikojnë ndjeshëm në rritjen e përmasave të përmbytjeve: këmbët e urës së re të Bunës, pengojnë rrjedhjen e lirshëm të ujit të këtij lumi, duke ngritur nivelin e liqenit, ndërsa rikonstruksioni i rrugës automobilistike nga kthesa e Bërdicës në Baçallëk krijoi një pritë.

Ndaj, gjatë prurjeve të mëdha të Drinit, përmbytet lagjja e banuar dhe ana tjetër e saj.

Në shkaqet e tjera njerëzore dallohen: ndërtimet kaotike në gjithë fushën, madje edhe në zonat e ulëta të ish-kënetave, të cilat prishën rrjetin e kanaleve kulluese; keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit, duke hapur portat e hidrocentraleve që rriti përmasat e përmbytjeve.”- shpjegon studiuesi.

Qiriazi shprehet se problemi i përmbytjeve te ne është shumë “i mprehtë, urgjent dhe larg zgjidhjes”.

Sipas tij, masat e mara fill mbas këtyre përmbytjeve nuk u mbështetën në studime të thelluara dhe të detajuara të shkaqeve dhe të masave efikase mbrojtëse sipas një strategjie dhe programi të mirëstudiuar. Ndaj, përmbytjet po përsëriten, madje më shpesh dhe më katastrofike.

Studiuesi shprehet se për të evituar përmbytjet ose të paktën uljen në minimum të pasojave negative të tyre, duhet të ringrihet Instituti i Bonifikimit, “i cili të ndërtojë strategji dhe plane veprimi afatshkurtër dhe afatgjatë për përmbytjet, të studiojë dhe të projektojë zgjidhje të qëndrueshme të problemeve të mëdha të përmbytjeve në vendin tonë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *