Vendosni fjalën kyçe....

Eurodeputeti në përgjime mik i Bashës? Tabaku i përgjigjet Ballës: Përpjekja jote patetike nuk do të funksionojë


Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka sulmuar qeverisjen e Edi Ramës lidhur me përgjimet e antimafias italiane dhe i ka kthyer përgjigje dhe Taulant Ballës lidhur me akuzat se eurodeputeti që përmendet në këto përgjime është mik me Lulzim Bashën.

Ndërsa nuk e pohon as nuk e mohon nëse Basha ka miqësi me eurodeputetin, ajo shprehet se përpjekja e Ballës nuk do të funksionojë.

“Përpjekja patetike nga Taulant Balla nuk do të funksionojë.  Kjo është ajo që ata bëjnë. Ata dështojnë. Ata korruptojnë. Ata  marrin paratë tuaja dhe i fusin në xhepat e tyre.

Ne do ta ndryshojmë këtë! Në 25 Prill historia e një qeverie që punon për 20%-shin e mafias dhe të korrupsionit do të marrë fund. Është koha për ndryshim!Ne do të sjellim ndryshimin!Ne do të shpëtojmë vendin nga mafia, nga Rama, nga kukulla e tij në Bashkinë e Tiranës dhe nga miqtë e tyre.Ne do të ndërtojmë një qeveri që kujdeset për qytetarët e Shqipërisë.”- shprehet Tabaku.

Ky reagim i ish-deputetes demokrate vjen pasi më herët socialisti Taulant Balla akuzoi kreun e PD-së Lulzim Basha se ka lidhje me eurodeputetin Lorenzo Casa të përmendur në përgjime.

Tabaku shprehet se nga 1 mijë faqe përgjime të antimafias italiane, 20% i zënë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Sipas saj, kryeministri e ka kthyer vendin në një “parajsë për pastrimin e parave” kundër ligjit dhe duke shkatërruar konkurrencën e ndershme.

“Këtë javë doli në dritë një korrupsion në shkallë të gjerë në Shqipëri. Korrupsion galopant i udhëhequr nga mafia dhe i ushtruar me miratimin e Erion Veliajt dhe Edi Ramës.

Janë 1000 faqe përgjime të antimafias italiane, ku përshkruhet mënyra sesi bëhen pazaret për tenderat, koncesionet, PPP-të dhe ndërtimet në Shqipëri. 20%-shi është pjesa për pushtetin e Edi Ramës, dëshmi e gjallë e asaj që po ndodh në Shqipëri prej 8 vjetësh.

Edi Rama hesht. Kukulla e tij në bashkinë e Tiranës ka mbyllur gojën.

Arsyeja pse Rama nuk flet dhe Veliaj po shmang përgjigjet e vërteta dhe po justifikohet është e qartë për të gjithë. Ata e dinë se sa thellë janë futur në këtë biznes me mafian.

Ndërkohë që Rama dhe Veliaj janë të fokusuar në punët e tyre të pista me mafian, shqiptarët janë gjithnjë e më shumë të papunë, investitorët seriozë largohen, ekonomia e pjesës dërrmuese të familjeve shkon drejt rrënimit, mijëra të rinj e të rinj largohen nga vendi.

Kundrejt rryshfetit 20%, Edi Rama dhe kukulla e tij në bashki e kanë shndërruar vendin në një parajsë për pastrimin e parave, duke dhunuar ligjin dhe duke shkatërruar konkurencën.”- shkruan Tabaku.

Tabaku thotë se përgjimet e antimafias italiane janë një provë më shumë se Rama dhe njerëzit e tij shqetësohen vetëm për veten dhe jo për popullin shqiptar.

“Ata po trefishojnë pasurinë e tyre, ndërsa ekonomia shqiptare po kolapson.  Ata bëjnë biznes me mafian në vend që të krijojnë vende pune për qytetarët. Ata hanë darka luksoze në Dubai, kur vendi është i përmbytur.

Mafia dhe pastrimi i parave nuk sjell vende pune, nuk prodhon mirëqenie, nuk ofron investime reale dhe të besueshme për ekonominë dhe qytetarët.

Mafia dhe lavatriçja e parave të pista prodhon vetëm shkatërrim, dhe mjerim për çdo familje që jeton me punë të ndershme.”– shprehet Tabaku.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *