Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka nisur mbledhjen e firmave për të mbështetur kreun e kësaj sindikate, Elton Debreshi, si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit.
Në njoftimin e saj në rrjetet sociale, sindikata bën me dije se mbështetja e minatorëve dhe qytetarëve të Bulqizës për Debreshin është e madhe ndërsa ata njoftojnë se në ditët në vijim do jenë në Bulqizë dhe fshatrat e saj por edhe në qytete të tjera të Qarkut Dibër për të mbledhur firmat.
“NISËM MBLEDHJEN E FIRMAVE PËR KANDIDATIN E PAVARUR PËR DEPUTET
Ditën e sotme nisëm mbledhjen e firmave për kandidatin e pavarur për deputet në Qarkun e Dibrës, minatorin Elton Debreshi. Mbledhja e firmave ka një procedurë standarde të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në formularë të veçantë sipas këtij institucioni. Në këtë foto është formulari në të cilin do mblidhen firmat.
Mbështetja prej minatorëve, qytetarëve dhe dashamirësve të tjerë, është e madhe. Ditët në vazhdim do të jemi në Bulqizë dhe në fshatrat e saj, po ashtu edhe në qytete e fshatra të tjerë të Qarkut Dibër.
Formularin mund ta plotësoni në zyrën e Sindikatës, në qendër të Bulqizës, në oraret 09:00 – 18:00. Ose mund t’na kontaktoni në numrin +355 695300146 në çdo orar të ditës.
Të shumtë dhe të bashkuar mund të arrijmë Statusin e Minatorit dhe çdo të drejtë tjetër të mohuar! Bashkohemi!” – thuhet në njoftimin e sindikatës.