Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka dhënë dorëheqjen. Siç shkruajnë mediet italiane, sapo ka përfunduar mbledhja në Këshillin e Ministrave ku Conte, u njoftoi ministrave qëllimin e tij për të dhënë dorëheqjen.
Kreu i qeverisë së shpejti do të ngjitet në Colle për t’i komunikuar vendimin Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella.
“Falënderoj të gjithë ekipin qeveritar, çdo ministër të vetëm, për çdo ditë të këtyre muajve së bashku.“- citohet të ketë thënë Conte në Këshillin e Ministrave kur komunikoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen, shkruajnë mediet e shtetit fqinj.
Mediet në Itali shkruajnë se dorëheqja e Contes hap një fazë të ndërlikuar politike dhe kushtetuese, e cila do të përfundojë vetëm kur një kryeministër i ri dhe ministrat e tij të betohen para Presidentit.
Kur Presidenti i Republikës merr dorëheqjen e Kryeministrit, ai mund të vendosë, pas konsultimeve me grupet parlamentare, t’i japë një mandat të limituar një figure institucionale (në 2018-ën Mattarella ia dha presidentëve të Dhomës dhe Senatit), ose t’i japë mandatin e plotë ose eksplorues Kryeministrit në largim (të cilin ai do ta pranonte me rezervë), ose të fillonte drejtpërdrejt konsultat me presidentët e Dhomave, përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Dhomës dhe Senatit.