Policia ka vënë në pranga infermieren 30-vjeçare nga Durrësi, e cila u denoncua në emisionin “Stop” në “Tv Klan” se kishte vjedhur një pacient të prekur nga Covid-19, i cili kishte ndërruar jetë.
Në njoftimin e policisë thuhet se infermierja nga Durrësi me inicialet R.H, ka pranuar autorësinë pasi është identifikuar me pamje filmike.
Javën e kaluar, një qytetar denoncoi në emisionin “Stop” se babait të tij 58-vjeç i kishin vjedhur portofolin në Spitalin Infektiv.
Djali thotë se babai i tij u shtrua në spital më 22 Dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 Dhjetor 2020 dhe sipas tij kishte patur në portofol 202 mijë lekë të vjetra dhe kartën e bankomatit së bashku me kodin pin.
Por dy ditë përpara se babai të humbiste jetën, denoncuesi tregon se nga bankmati ishin tërhequr para me kartën e bankës që kishte lënë në portofolin e të atit.
Bëhet fjalë për datën 25 Dhjetor, kohë që përkon me ditën kur babai i denoncuesit ishte futur në intubim pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Dy ditë më pas babai ndërroi jetë.
Punonjësit e spitalit i kthyen denoncuesit sendet personale të babait, por brenda portofolit mungonin paratë dhe karta e bankës së bashku me shënimin për kodin pin.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetases R. H., 30 vjeçe, banuese në Durrës.
Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë pasi në bazë të pamjeve filmike rezulton si autorja e vjedhjes së një shume parash në portofolin e shtetasit K. D., i cili ka qenë i shtruar në spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë nga COVID-19.
Pas kallëzimit të bërë për këtë ngjarje, nga djali i të ndjerit, shtetasi F. D., 25 vjeç, i cili ka deklaruar se nga llogaria bankare e të atit ishte tërhequr shuma 60.000 lekë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit.
Në bazë të provave filmike ka rezultuar se edhe shuma e parave është tërhequr nga shtetasja R. H., infermiere në spitalin infektiv, e cila ka pranuar autorësinë e ngjarjes, që është bërë mediatike edhe nga emisioni investigativ “STOP”.
Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjygjësor Tiranë, për veprime hetimore të metejshme, për veprat “Vjedhja” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.