Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarja që publikoi përgjimet e Ndranghetës: Nuk jam intervistuar në asnjë edicion qendror lajmesh


Disa ditë më parë, në Shqipëri nisën të publikohen transkriptet e para të një dosjeje masive të antimafias italiane prej rreth 1600 faqesh, ku flitet edhe për lidhjet mes klanit mafioz italian Ndrangheta dhe disa biznesmenëve e politikanëve italianë.

Përgjimet e para u transkriptuan nga Ora News, që kishte siguruar materialet e antimafias italiane e më pas nisën të shpërndahen sipas interesit edhe në pak media të tjera.

E pjesa dërrmuese e mediave në vend nuk kanë publikuar asgjë nga përgjimet e dosjes së antimafias italiane.  Ato kanë publikuar vetëm reagimet politike të ndërsjella, akuzat e kundërakuzat mes palëve politike në vend, por jo përgjimet e transkriptuara ku përmenden biznesmeni shqiptar Nik (Besnik Halili) e roli i tij në ndërmjetësimin me qeveritarët në Shqipëri për t’i mundësuar grupit të italianëve leje ndërtimi në Tiranë, tendera pa garë në disa sektorë, koncesione etj.

Alba Kepi është gazetarja e cila gjeti dosjen dhe e publikoi atë në televizionin “Ora News”.

Ajo shprehet kritike ndaj mënyrës se si kolegë të saj e kanë raportuar dhe komentuar punën e saj voluminoze, ndërsa shprehet se edhe pse ishte ajo që siguroi dosjen nuk është ftuar të flasë mbi të nga asnjë edicion qendror.

“Ju ftoj të ndiqni kronikat e Ora News mbi lajmet më të fundit të skandalit të pastrimit e riciklimit të parave të mafias kalabreze në Shqipëri. Lexoj “bullshit e sajesa” të kolegëve gazetarë që nuk e kanë idenë se ç’është mafia! E PYES; Si kanë kurajo të flasin për diçka që nuk dinë e s’kanë lexuar. Kaq e fortë është deliri i madhështisë apo është “pakti me djallin” që i shtyn të flasin e të shkruajnë KUTURU. E fatkeqësisht janë ata më të “dekoruarit” e më të ekspozuarit televizisht. Profesionalizmi e besueshmëria fitohet me paanësi e tregohet me atë çka sjell mbi tavolinën e punës e jo me hamendësimet e miqve shqiptarë… Unë jam person e gazetare e lirë, e ju ftoj të ndiqni materialet investigative të Ora News e cila qe media e parë që përcolli skandalin me prova të dokumentuara që në orën 7.00 të mëngjesit të ekzekutimit të operacionit. E deri më sot me gjithë punën kolosale që po bëj prej ditësh, nuk jam intervistuar në asnjë edicion qendror lajmesh, dhe pse shoh se me punën time ndizen reflektorë të atyre që punën e investigimin duhet ta nisnin në Shqipëri, që atë mëngjes kur raportova rëndësinë e këtij operacioni, e jo të ‘kuturizonin’ investigimet e antimafias.

 Po ashtu siç dokumentova skandalin Tahiri, që e bllokuan duke e lënë në stand by për disa ditë rradhazi, apo skandalin e plehrave të Tiranës me mafian e Veronës, që e bllokuan sapo nxorra shumë dosje të tjera lidhur me to, apo skandalin e gomoneve që niseshin nga Shqipëria drejt Italisë, raportet eskluzive e intervista eskluzive me njerëzit më të mirë të drejtësisë europiane.”– shkruan Kepi në një postim në Facebook.

Gazetarja shprehet se një pjesë e mirë e kolegëve të saj në Shqipëri janë të përlyer dhe nuk janë të lirë t’i përcjellin lajmet.

“Të ‘dekoruarve’ i ftoj të punojnë e të rrëfejnë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me miqtë e mafiozëve e medaljet t’i fitojne pa miqtë ‘shqiptarë’, ‘kushërinjtë’, ‘vëllezërit’, ‘motrat’. NATËN të nderuar! Nuk kam më besim në asgjë! #manonmollo. Me sinqeritetin e dashurisë së profesionit e pa delirin e madhështisë, POR veç të respektit e seriozitetit për njerëzit që kam punuar me vite për këtë operacion them; Shkofshi në djall e bashkë me paktin e djallit! Andate a lavorare!!!… aty ku është miniera e lajmeve që nuk jeni të lirë t’i percillni sepse jeni të përlyer!”– shkruan gazetarja.

Përgjimet e Antimafias italiane kanë nxjerrë në pah pazaret që personazhe të krimit në shtetin fqinj bëjnë për të fituar leje ndërtimi në Tiranë. Në materialet e siguruara nga Kepi dhe të publikuara në “Ora News” thuhet se sipërmarrësit italianë nën hetim flasin për kontakte të afërta me kryetarin e bashkisë së Tiranës, si dhe për faktin se mund të investojnë në ndërtimin e një gradaçele shumëkatëshe që shiten deri në 3 mijë euro metri katror, duke ofruar si ryshfet 20 për qind të vlerës. 

Në dosjen masive prej më shumë se 1000 faqesh të përgjimeve të antimafias italiane flitet për tendera në sektorë të ndryshëm, koncesione, leje ndërtimi në Tiranë, investime në shëndetësi e për të gjitha këto del garant si urë lidhëse biznesmeni shqipar ‘Nik’ që ka lidhje me kreun e bashkisë, me ministrat e zyrtarët e qeverisë Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *