Vendosni fjalën kyçe....

Shira të dendur e borë në mbarë vendin, bllokohen disa rrugë e përmbyten sipërfaqe të mëdha toke


Shirat dhe reshjet e dëborës kanë shkaktuar jo pak probleme në disa zona të vendit. Në verilindje të vendit, rruga Qafë Bualli-Krastë në Bulqizë është bllokuar prej disa orësh për shkak të rrëzimit të një masivi shkëmbor.

Mjetet që lëvizin në dy drejtimet janë bllokuar që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm ndërsa drejtuesit e mjeteve bëjnë thirrje që në zonë të shkojë një mjet i posaçëm për largimin e shkëmbit për të liruar rrugën. E bllokuar vijon të mbetet rruga lidhëse mes Lagjes së Vjetër e Lagjes së Re për shkak të ujit që ka përmbytur rrugën lidhëse.

Tjetër rrugë e bllokuar në vend është ajo e Dukagjinit në. Për shkak të reshjeve të shiut ka pasur rrëshqitje dherash në segmentin Prekal-Kir-Breg Lumi. Në veri ka pasur reshje të dendura dëbore në Kukës, Tropojë e Pukë. Disa fshatra janë përballur me mungesë të energjisë elektrike ndërsa po punohet për riparimin e defekteve.

Lumenjtë Ishëm e Vjosa janë fryrë tej mase dhe rrezikojnë daljen nga shtrati duke rrezikuar tokat e banesat e atyre që jetojnë pranë. Po kështu kritike paraqitet situata në zonën e Fushë-Krujës ku dhjetëra banesa janë rrethuar nga uji ndërsa ka sipërfaqe të mëdha toke të mbuluar nga uji.

Në qarkun e Shkodrës problematike paraqitet situata në Obot ndërsa fryrja e lumit Buna ka çuar në bllokimin e rrugës kombëtare Shkodër-Muriqan.

Në zonën e Korçës, Dardhë, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të reshjeve të dëborës e ngricës që ka prekur rrugët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *