Avokati i Donald Trump, Rudy Giuliani, është paditur nga Dominion Voting Systems për pretendimet e mashtrimit gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në SHBA. Kompania po kërkon 1.3 miliard dollarë dëmshpërblim nga avokati.
Padia u paraqit të hënën në Gjykatën Federale të Qarkut në Uashington DC. Dokumenti me 107 faqe renditi mbi 50 deklarata nga Giuliani që ai bëri në Twitter e rrjete të tjera sociale si dhe gjatë deklaratave në seancat dëgjimore kundër Dominion – një nga kompanitë më të mëdha që shesin makineri votimi në SHBA.
Giuliani, si shumë mbështetës të tjerë të shquar të ish-presidentit Donald Trump, ka drejtuar vazhdimisht gishtin drejt kompanisë si një nga fajtoret kryesore paërs humbjen e zgjedhjeve presidenciale.
Dominion është akuzuar si pjesë e një komploti të pretenduar për të rregulluar zgjedhjet në favor të Demokratëve, të cilat, së bashku me votimin masiv përmes postës, pretendohet se lehtësuan manipulimin e zgjedhjeve duke çuar në humbjen e Trump.
Dominion ka akuzuar Giulianin për zhvillimin e një ‘fushate virale dezinformimi’ dhe prodhimin e vazhdueshëm të ‘gënjeshtrave shpifëse’ në lidhje me të.
Ai gjithashtu pretendoi se deklaratat e pretenduara të rreme nga avokati i Trump kanë nxitur një stuhi kërcënimesh me vdekje kundër punonjësve të saj.