Nga Inida Kreuz
Fusha e mrekullive!
Kështu e quanin Dhelpra dhe Maçoku fushën ku do të mbillnin monedhat e arit të Pinokut, të cilat në pak minuta do të shndërroheshin në pemë plot monedha ari. Pinoku e besoi dhe priti, që pema e monedhave të arit të mbinte. Por fusha e mrekullive ishte veçse gropa e rradhës për Pinokun, që ishte i destinuar të mësonte prej gabimeve. Si në çdo përrallë, edhe fundi i Pinokut është i lumtur e ai më në fund u bë njeri, por në realitet, fushat e mrekullive bëjnë „njerëz“ vetëm dhelprat dhe maçokët, që gjejnë tufa me gdhe si naivi Pinok, e u bëjnë gropën me tinzarllëqe.
Çfarë nuk na kanë parë sytë, e çfarë nuk na kanë dëgjuar veshët! Jeta, edhe pse e shkurtër, paska qenë e gjatë. Sidomos për ne të shkretët që lindëm në komunizëm, e u rritëm në tranzicion, duke dëshmuar tjetërsimin e njeriut dhe të sistemit, nga keq në edhe më keq.
E lindur në 1982, komunizmin e lidh me disa gjëra: Me tim atë që mësonte fshehtas frëngjisht, për t’i shkruajtur një letër idhullit të tij Yves Montand, me antenat e sajuara me kanoçe, tenxhere e kusia, për të parë fshehurazi Rain apo Jugosllavin dhe me rradhët e bukës apo qumështit. Pas dy vitesh mësim intensiv të frengjishtes, im atë arriti ti shkruajë Yves një letër që nuk mundi dot kurrë të lexohej prej askujt tjetër veçse prej meje dhe nënës sime. Në letër im atë pyeste: „Po këtu në Shqipëri, kur do të vijë dita që ne të mos mbajmë më rradhë për qumësht e për bukë? Kur do të vijë dita që vajza ime 6 vjeçe të mos shtypet për vdekje në rradhën e bukës? Kur do të vijë dita që të mos kemi më frikë nga spiunët e regjimit? Kur do të vijë dita, që ne të jemi të lirë? …“
Atëherë, nuk e dija pse im atë pyeste pikërisht Yves Montand për këtë, pasi ai qe vetëm një këngëtar e aktor, por më vonë e kuptova se im atë pyeste në fakt, pikërisht ndërgjegjen e tij. Im atë pyeste vetveten.
Nuk zgjati shumë dhe „Liria“ e shumë ëndërruar prej prindërve të mi, erdhi. Rradhët e bukës apo qumështit, u zëvendësuan nga rradhët tek „Sudja“, „Xhaferri“ apo „Vefa“. Mësuesit mësuan „rryshfetin“ e mësimet private. Magazinierët e shoferët e komunizmit u bënë befas bosa. Të gjithë tregtarë bananesh e cigaresh të hapura. Parajsa kish zbritur mbi Shqipëri, a thua se kish mbirë pema e monedhave të florinjta dhe ne rronim fushën e mrekullive.
Duke qenë se jetoja në Bllok, e kam parë me sytë e mi transformimin e tij, nga një zonë rezidenciale qeveritare të ruajtur me ushtarë, në një „fushë mrekullish“, ku më i forti, më gangsteri, më dhelpra, më maçoku, mbolli 4 monedha dhe korri pemë të panumërta me flori.
Firmat Piramidale më pas e përmbytën „Fushën e mrekullive“ dhe të gjallët u shndërruan në zombie e vampirë, që nuk njihnin më as mëshirë e as kufinj.
Ishte e vështirë të ishe vajzë e re në ato kohë, e ti mbijetoje tentativës për trafikim në Itali si prostitutë. Ne të gjithë ishim Pinokë naivë, të rrethuar nga dhelpra e maçokë. Vetëm mrekullia na ka shpëtuar, ne që shpëtuam. Por shumë nuk shpëtuan dhe u bënë viktima të një sistemi kriminal, që ka hedhur rrënjë në „Fushën e mrekullive“ dhe po mbin vetëm pemë plot prush, që nga larg shkëlqejnë si ar, por kur i afrohesh e i prek, digjesh i gjallë.
Tani jam 39 vjeç dhe kur kthej kokën pas, shoh njerëz që dikur ishin pinokë naivë si unë që sot janë bërë dhelpra e maçokë e që e kanë shkretuar të gjithë vendin, duke e shndërruar në një „ Fushë të mrekullive“ ku groposen jo vetëm shpresat e besimi i bashkëmoshatarëve të mi, por edhe i fëmijëve tanë.
Na duhet jo një Zanë por dhjetëmijë Zana, ti shndërrojnë në njerëz bagëtitë e drurit që kanë populluar shoqërinë e që nuk e kuptojnë, se gropat në „Fushën e mrekullive“, do na kthejnë tek rradhat e bukëve e të qumështit. Do na duhet jo një mrekulli, por mijëra të tilla, që më në fund njerëzit të hapin sytë e të kuptojnë se janë shndërruar në buratinë, në marjoneta të një pushteti kriminal që për rrënjë ka mashtrimin, vjedhjen dhe përbuzjen. Nuk ka nevojë të na e thotë Antimafia, BE, apo Ambasadorët se cilët janë dhelprat dhe maçokët e Shqipërisë. I njohim mirë. Pinoku ama një të mirë e ka, në fund fare, ndërgjegjësohet aq sa bëhet njeri i drejtë. Pyetja ime është: A është ky fundi i shumëpritur, apo do të presim derisa edhe fëmijët tanë të bëhen 39 vjeç, për të shkulur me rrënjë pemet e mashtrimit në „Fushën e mrekullive“? Uroj që po, të ketë ardhur fundi dhe në zgjedhje këtë herë të shkohet masivisht, për tu dhënë një mësim të mirë dhelprave dhe maçokëve që janë bërë tigra e ujqër nga pinokëzimi i shoqërisë.