Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka kritikuar kryeministrin Edi Rama, lidhur me qëndrimin e këtij të fundit pas publikimit të autopërgjimeve të antimafias italiane lidhur me Ndranghetën.
Bardhi thotë se Rama nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të justifikohet, ndërsa risjell disa nga audiopërgjimet e mëparshme që nxirrnin zbuluar shitblerjen e votave.
“Sa herë njerëzit e tij kapen në përgjime në pazar me trafikantët e drogës, duke blerë vota me krimin e organizuar apo duke shitur tendera, koncesione dhe leje ndërtimi, Edi Rama vetëm justifikohet. Ai kurrë nuk di asgjë, gjithmonë sillet sikur i bien në qafë të tjerët.
Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës dhe janë lodhur duke dëgjuar Ramën dhe justifikimet e tij. Ata e dinë se kjo është qeveria më e keqe dhe më e korruptuar në historinë e Shqipërisë.
Askush nuk e beson më Edi Ramën. Në 25 Prill shqiptarët do t’i tregojnë vendin kësaj qeverie dhe do të votojnë për ndryshimin!”- shkruan Bardhi.