Paraditen e sotme kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka kaluar në Divjakë ku është takuar me gratë atje, me të cilat ka ndarë programin e saj dhe ka dëgjuar dhe shqetësimet e tyre.
Kryemadhi iu tha atyre se një nga prioritetet e LSI-së është fuqizimi ekonomik i gruas, ndërsa foli edhe për kartën e fermerit.
Sipas zonjës Kryemadhi, është e nevojshme që 5 pikat e LSI-së të vendosen menjëherë në zbatim.
“Doja t’ju thosha që takimet me gratë janë shumë pozitive për mua dhe tepër motivuese gjithashtu.
Sepse për një grua sot në politikë është shumë e vështirë dhe nëse nuk do të ketë solidaritetin dhe përkrahjen e grave, e sidomos të grave të reja, e bën të pamundur misionin tonë, dhe një nga pikat tona kryesore të programit tonë është fuqizimi ekonomik i gruas.
Gruaja është themeli i një familjeje dhe po ishte gruaja e fortë, po ishte në një komoditet për të jetuar, sigurisht edhe respekti mes burrit dhe gruas do të jetë i barabartë, por nga ana tjetër edhe fëmijët do të jenë më të ndjeshëm, më të mbarë dhe do të kenë mundësinë e një edukimi dhe shkollimi më të mirë.
Ndërkohë kemi edhe 5 pikat, 5 prioritetet që ne si LSI i kemi prezantuar tashmë, dhe që janë të nevojshme për tu vënë në zbatim menjëherë.
Këtu në Bashkinë e Divjakës faktikisht është një bashki që ka mundësi punësimi dhe zhvillimi të sektorit të turizmit jashtëzakonisht të mëdha, pavarësisht se çfarë ofron bujqësia në këtë zonë, që është një tjetër prioritet për ne, të cilin ne e prekim me kartën e fermerit, me TVSH-në për prodhimet, jo përsa i përket TVSH-së direkte, por përsa i përket konsumimit që shqiptarët të hanë mirë dhe lirë.
Pra, të hanë prodhimet vendase dhe pse jo për të konkurruar prodhimet e huaja, po ashtu edhe për të bërë një barrierë për prodhimet e importit. Kujtojmë këtu që 30 për qind e kërkesës për ushqime që kanë shqiptarët, ne i plotësojmë me prodhimet tona vendase.
Një tjetër prioritet, një tjetër pikë tjetër e rëndësishme e programit tonë është edhe arsimi, për vajzat dhe për djemtë e rinj. Pse e quajmë këtë kryesore? E quajmë kryesore, sepse nëse ne nuk do të kemi fëmijët tanë të arsimuar, nuk do të konkurrojmë dot nesër në tregun e punës. Nuk do të kemi mundësi jo vetëm për të zhvilluar ekonominë tonë, por edhe për të zhvilluar gjithë infrastrukturën tonë, turizmin, bujqësinë, agro-turizmin, agro-përpunimin.”– tha Kryemadhi gjatë bashkëbisedimit me gratë në Divjakë.