Partia Demokratike ka denoncuar kryebashkiakun e Tiranës për klientelizëm në procesin e rindërtimeve të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Zëdhënësja e selisë blu, Zhupa, deklaroi se Veliaj po diskriminon familjet e varfra, duke rindërtuar vilat 3 katëshe të militantëve socialistë.
Ajo ishte në fshatin Gropje të Tiranës, ku vizitoi banesën e një banori të zonës, shtëpia e të cilit është shkatërruar nga tërmeti.
Sipas familjarëve, bashkia i ka skualifikuar nga procesi i rindërtimit dhe nuk i ka dhënë as bonus dhe as ndihma.
“Tërmeti i 26 nëntorit e shkatërroi shtëpinë dhe sa herë që bie tërmet 3 ballë, siç ka rënë, vazhdon dhe bie muri. Bashkia na futi tek DS2 dhe kur e kemi formosur nuk e dinim se na kishin vendosur aty, sepse i vendosnin me laps sipër, e firmosja unë pastaj ata shkruanin. Në Bashki na thanë se jeni të skualifikuar. Nuk kam se ku të rri këtu. Tre anëtarë familje ne rrimë në një dhomë. Shiu binte brenda në shtëpi dhe rrinim zgjuar nga frika se shembej faqja e murit. Nuk kemi marrë bonus dhe as një kg sheqer. Asnjë kokërr oriz, zero”, thotë bashkëshotrja e Riza Nozllit.
Ndërsa kryefamiljari shton se askush nuk ka shkuar t’i shohë apo t’i ndihmojë që prej tërmetit.
“Inxhinieri i Bashkisë tha se është rindërtim pastaj e kthyen. Nuk ka ardhur askush më të na shohë. Ata nuk e dinë se ku e kam shtëpinë. Familja ime nuk ekziston për këtë shtet,” thotë ai.
Zhupa nga ana e saj deklaoi se qeveria e Ramës e bashkia e Veliajt kanë dështuar dhe po e përdorin procesin e rindërtimit për përfitime politike dukë ndërtuar banesat e militantëve.
“Pak metra më poshtë qeveria po i rindërton shtëpinë e Lul Agës i cili ka vila tre katëshe. E kam denoncuar këtë fakt në Fortuz. Ndërsa ju këtu që keni nevojë për të futur kokën në një vend të sigurt, nuk ju pranojnë në institucione. Edhe 90 ditë ju kanë mbetur. Me datë 25 prill merr fund dhe e drejta juaj do të shkojë në vend dhe ne do të kthehemi për t’ju dhënë atë që ju takon dhe për t’ju rindërtuar shtëpinë siç ju takon. Qeveria e re do të kujdeset për ju siç e meritoni dhe jo duke ju lënë në mëshirë të fatit. Sepse ata e kanë hequr komplet vëmendjen ndaj qytetarëve dhe ata e kanë vëmendjen tek mafia, tek paratë e veta, të shkojnë të hanë dreka e darka në Dubai dhe e kanë humbur vëmendjen nga qytetarët”, tha Zhupa.