Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja pas denoncimit, Veliaj: Riza Nozlli përfiton nga rindërtimi. Zhupa: Ke ngatërruar Rizain


Vijon përplasja PD-Bashkia Tiranë lidhur me procesin e rindërimit. Zëdhënësja e selisë blu, Zhupa, denoncoi ditën e sotme Veliajn se po përdor klientelizmin në procesin e rindërimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas Zhupës, bashkia po rindërton banesat e militantëve të saj që kanë nga tre vila ndërsa po diskriminon të varfrit që i kanë banesat e pabanueshme duke cituar denoncimin e një kryeafamiljari në fshatin Gropje.

Bashkia Tiranë i ktheu përgjigje Zhupës duke theksuar se familja e Riza Nozllit është përfituese e fondeve të rindërtimit por nuk është paraqitur në Njësinë Adminstrative Vaqarr për të paraqitur dokumentet, thuhet ndër të tjera në reagimin e bashkisë.

“Familja Nozlli është përfituese nga granti i rikonstruksionit për kategorinë DS2 të dëmtimit nga tërmeti. Kjo vërtetohet lehtë nga VKB nr. 73, datë 19 qershor 2020. Por, edhe pse është shpallur përfitues, kryefamiljari Riza Nozlli nuk është paraqitur ende në zyrat e Njësisë Administrative Vaqarr për të vijuar procedurat e mëtejshme dhe për firmosjen e kontratës së përfitimit.

Nga qershori i vitit të shkuar, mjaftonte që Riza Nozlli të paraqiste dokumentet përkatëse të kërkuara për lidhjen e kontratës dhe menjëherë do të merrte paratë për rikonstruksionin e shtëpisë ku jeton sot. Nga ana tjetër, edhe pse nuk është paraqitur për të lidhur kontratë, familja Nozlli nuk e ka ankimuar VKB nr. 73, në mënyrë që të bëhej rivlerësimi siç e kërkon ligji, brenda 5 ditëve nga miratimi i listës së përfituesve.

Megjithatë, familja e Rizait ka ende kohë për t’u paraqitur pranë Njësisë Administrative Vaqarr për të lidhur kontratën dhe tërhequr paratë për të rikonstruktuar shtëpinë”, deklaroi bashkia.

Pas kësaj ka ardhur kundërpërgjigja e Zhupës, që thekson se bashkia ka ngatërruar person.

“Bashkia Tiranë ka ngatërruar personin në përgjigje që kthen për denoncimin tonë për Riza Nozlli. Rizai nuk mund të vijë të lidhë kontratë për një Riza tjetër. Nuk e dimë kush është Riza Riza Nozlli që nxjerr Bashkia tabelë me emra që ka përfituar DS2, që do të thotë përfiton 1 milion lek të vjetra për dëme të riparueshme, urojmë t’i marri dhe të riparojë shtëpinë. Por Riza SHABAN Nozlli në Gropje në shtepinë e të cilit isha vetë dhe folen më zë dhe figurë nuk ka përfituar asgjë. Jo vetëm që nuk është i njejti person nga gjeneralitetet, por nuk mund të jetë edhe nga dëmet se Rizai ka një shtëpi të pababueshme që po i shëmbet dhe nuk mund të bej asgjë me 1 milion lek. Shkoni shikojeni shtëpinë e Riza SHABAN Nozlli dhe do e kuptoni dhe pa pasur inxhinier me vete që është për tu shëmbur dhe e shkatërruar totalisht. Bëni detyrën dhe kualifikojeni në programin e rindërtimit që të jetojnë me dinjitet dhe pa frikën e vdekjes që nga momenti në moment mund t`i zërë shtëpia poshtë”, deklaroi Zhupa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *