Burimet financiare totale në dispozicion të bashkive në fund të 9-mujorit 2020 ishin 41 miliardë lekë, (333 mln euro) dhe shënuan rënie me rreth 3.1% në terma vjetorë, nën ndikimin e rënies së të ardhurave nga burimet e veta vendore.
Sipas analizës për ecurinë e financave vendore të realizuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, dhe që i takojnë 9 mujorit 2020, të ardhurat që bashkitë grumbulluan nga burimet e veta ishin 18.2 miliardë lekë, në rënie me rreth 12% (apo rreth 2.4 miliardë lekë) krahasuar me nivelin e regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë shënuan një nivel prej rreth 6 miliardë lekë, në rënie me rreth -15.9% në terma vjetorë. Përjashtuar të ardhurat për TNI nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 1.2 miliardë lekë nga kjo taksë, në rënie me rreth -38.6% në terma vjetorë.
Bashkia Tiranë arkëtoi rreth 4.9 miliardë lekë (në rënie me rreth 7.7% në terma vjetorë) ose rreth 80.5% të të ardhurave totale nga kjo taksë. Në bashkinë Durrës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja rezulton të jetë ngushtuar nga një nivel prej rreth 249 milionë lekë në rreth 167 milionë lekë gjatë periudhës në analizë (-32.8%). Në të kundërt, në bashkinë Vlorë të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë shënuan rritje nga 47.4 milionë lekë në rreth 156.7 milionë lekë, çka përbën rreth 2.6% ndaj të ardhurave totale të gjeneruara nga kjo taksë.
Të ardhurat nga taksat vendore shënuan rënie me rreth -11.9% në terma vjetorë. Kjo rënie, rezulton të thellohet më tej në rreth -21.3% nëse përjashtojmë të ardhurat nga taksat vendore të bashkisë Tiranë.
Fatkeqësitë natyrore të njëpasnjëshme, duket të kenë dhënë kontribut negative në ecurinë e të ardhurave nga taksat vendore. Në këtë kategori, nisur dhe nga pesha specifike, ndjeshmëri më të lartë paraqitën të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe taksat të tjera. Në të kundërt të ardhurat nga tatimi thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël u rritën dhe kontribuan pozitivisht në të ardhurave nga taksat vendore.
Të ardhurat nga taksat mbi pasuritë e paluajtshme regjistruan një vlerë prej rreth 3.9 miliardë lekë, në rënie me rreth 6.6% në terma vjetorë. Peshën dhe kontributin kryesor në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme e japin të ardhurat nga taksa mbi ndërtesën (76%) të cilat u tkurrën me rreth 8.8% në terma vjetorë.
Të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat regjistruan një nivel prej rreth 2.9 miliardë lekë, në rënie me rreth -8.8% në terma vjetorë, mbledhur për rreth 53.7% në bashkinë Tiranë. Të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore regjistruan një nivel prej rreth 373 milionë lekë, në rritje me rreth 5.2% në terma vjetorë, mbledhur për rreth 14% në bashkinë Fier.
Të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 363 milionë lekë, në rritje vjetore me rreth 4.7%. Në terma afatgjatë dhe në vijim të ndryshimeve legjislative të ndërmarra, të ardhurat nga kjo taksë do të ulin në mënyrë progresive kontributin e tyre në totalin e të ardhurave nga burime të veta vendore. Gjithashtu, mbetet për t’u parë nëse dhe si do të rishikohet formula për ndarjen e trans. të pakushtëzuar, pasi kjo taksë është përdorur për të siguruar ekualizimin horizontal efektiv ndërmjet 61 bashkive.
Të ardhurat nga tarifat vendore shënuan një nivel prej rreth 6.3 miliardë lekë, në rënie vjetore me rreth 12.5%. Rënia e të ardhurave nga tarifat vendore vërehet në të gjitha kategoritë e konsiseruara.
Transferta e pakushtëzuar dhe sektoriale shënoi një nivel prej rreth 25.5 miliardë lekë, në rritje me rreth 33.3% në terma vjetorë.
Të ardhurat nga taksat e ndara kontribuan në buxhetin vendor me rreth 1.1 miliardë lekë në 9M2020, në rënie me rreth 1.9% në terma vjetorë.
Transfertat e kushtëzuara jepen për ushtrimin e funksioneve të deleguara dhe financimin e projekteve të veçanta. Gjatë periudhës në analizë, ato përfaqësuan rreth 36.1% ndaj burimeve financiare totale dhe shënuan rritje me rreth 19.5% në terma vjetorë.
Analiza e financave vendore tregon se ngushtimi i të ardhurave në burimet e veta vendore rezulton të ketë ndodhur në rreth 61% të bashkive (apo 37/61 bashki) dhe luhatet në një interval nga rreth -1% deri në -61.3%.
Në rreth 51.3% të bashkive (19/37 bashki) rënia e të ardhurave rezulton të jetë mbi 20% në terma vjetorë.
Në bashkitë e prekura nga tërmeti i fund vitit 2019, të ardhurat nga burimet e veta vendore rezultojnë në rënie të theksuar për bashkitë: Lezhë (-61.3%), Kurbin (-46.6%), Kamëz (-43.3%), Vorë (-36.8%), Kavajë (- 32.2%), Krujë (-32.6%), Durrës (-29.2%) dhe Peqin (-23.5).
Në rënie të moderuar për bashkitë Tiranë (-6.1%) dhe Shijak (-8.4%), në të kundërt, të ardhurat nga burime të veta vendore shënuan rritje vjetore me rreth 9.6% në bashkinë Rrogozhinë.
Ngushtimi i të ardhurave nga burimet e veta vendore me rreth 12% u përcaktua gjerësisht prej rënies në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor