Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim në një intervistë për emisionin Real Story ka folur për zgjedhjet e 25 prillit dhe standardeve që duhet të ruhen në to.
Ambasadorja gjithashtu tha se kur shkruan një tëitter për politikën në Shqipëri i drejtohet të gjithë liderve dhe nuk e ka në veçanti.
Duke shfrytëzuar këtë moment diplomatja amerikane i bëri thirrje 3 drejtuesve të partive kryesore në vend që të mos marrin persona në parti të cilët janë përjashtuar nga vettingu i një partie tjetër.
“Kur takohem me shqiptarë të zakonshëm, një nga gjërat që pothuajse të gjithë përmendin është korrupsioni, në politikë, biznes. Ata flasin se duan politikanë më të mirë që t’i përfaqësojnë dhe, njerëzit janë të mençur, e dinë çfarë ndodh. E dinë se kush është kush. Ka ligje që Shqipëria i ka për dekriminalizimin që ndalon kandidimin e personave të dënuar apo zgjedhjen e tyre në parlament. Por ka edhe individë të tjerë që janë të njohur që të ulen në kuvendin e popullit, duke bërë legjislacion e ligje, apo jo? Dhe këtë përpiqem të vë në dukje, ndaj mendoj se udhëheqësit e partive duhet të marrin përgjegjësitë. Kam vënë re që sa herë flas për këtë, secili pretendon sikur unë flas për palën tjetër.
Dhe më duhet të them, dua të jem shumë e qartë, po flas për ty.Po i flas Z. Rama në cilësinë e tij si kreu i PS; po i flas Z. Basha si kreu i PD; po i flas edhe Znj. Kryemadhi; po i flas kujtdo që drejton një parti politike. Është përgjegjësia juaj dhe po ju flas ju. Pra, askush nuk mund të ngatërrohet sikur po i flas palës tjetër. Dhe diçka tjetër. Dëgjoj edhe për njerëz në partitë politike, udhëheqësit politikë në veçanti, duhet të luajnë ndershëm dhe duhet të jenë të ndershëm.
Dhe një element i kësaj është se kur një parti përjashton dikë sepse ai person nuk kaloi vetingun në partinë e tyre, ai person nuk duhet marrë nga një parti tjetër për avantazh politik. Kjo nuk është e pranueshme dhe ky është pozicioni i Ambasadës së SHBA por besoj është edhe pozicioni i popullit shqiptar. Mendoj se duan politikë më të pastër. Mendoj se duan gjykata më të pastra. Mendoj se duan udhëheqësi të vërtetë, të ndershme nga partitë politike dhe unë jam me ta.”-deklaroi Kim.