Vendosni fjalën kyçe....

Bashkëshorti i gjyqtares Margjeka kallëzon penalisht prokuroren Enkeleda Millonai


Gjyqtarja Mimoza Margjeka dhe bashkëshorti i saj Arben Cara që janë në arrest shtëpie, janë duke kaluar një moment të vështirë shëndetësor për shkak të Covid19.

Megjithatë Cara ka kallëzuar penalisht prokuroren Enkeleda Millonai për veprat penale “Fillim i paligjshëm i ndjekjes penale” parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal, “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim, parashikuar neni 301 e 25 i Kodit Penal.

Në artikulimin e kallëzimit penal të siguruar nga Hashtag.al thuhet se “prokurorja këto vepra penale i ka konsumuar përgjatë veprimtarisë së saj hetimore e proceduriale të procedimit penal nr.186, të vitit 2020. Në hetimin e kësaj çështje Prokurorja nuk është udhëhequr nga zbatimi i Kushtetutës dhe i Ligjit, por ajo ka orientuar dhe devijuar hetimin në mënyrë të qëllimshme duke penguar kështu zbulimin e së vërtetës”.

Enkeljda Millonai e emëruar pranë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion është prokurorja që ka dosjen ku Gjyqtarja Mimoza Margjeka akuzohet për korrupsion pasiv bashkë me bashkëshortin e saj Arben Cara dekanin e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Aleksandër Moisiu me pretendimin se ka marrë 6 mijë euro për të zbutur dënimin e një personi i kapur për transport klandestinësh në Korçë.

Cara në akuzën e tij thotë se Prokurorja Millonai ka shtrembëruar provat në hetimin që po kryen duke fshehur përgjime të cilët sipas tij implikojnë persona të tjerë të cilët nuk janë shënuar si persona të cilëve u atribuohet vepra penale.

Në këtë hetim Prokurorja ka fshehur përgjimet deri në momentin aktual, përgjime të cilat zbardhin ngjarjen dhe implikojnë në mënyrë të dukshme persona të tjerë të cilët nuk rezultojnë të jenë shenuar si persona të cilëve u atribuohet vepra penale. Nga ana e Prokurores janë shtrembëruar dukshëm faktet dhe provat duke aluduar për fakte të cilat në të vërtetë nuk ekzistojnë dhe s’kanë ndodhur kurrë. Në mënyrë të qëllimshme janë anashkaluar dhe devijuar hetimet në mënyrë që të mbrohen personat e vërtetë përgjegjës dhe të goditemi ne (Arben Cara dhe Gjyqtarja Mimoza Margjeka), që nuk kishim asnjë dijeni dhe lidhje me këtë çështje dhe me faktin se çfarë po ndodhte me këtë çështje”-thuhet në kallëzim.

Më tej Cara në akt-padinë e tij zbulon edhe përgjimet e kryera për ngjarjen për të cilën akuzohet ai dhe bashkëshortja duke nxjerrë se gjyqtarë të tjerë janë përfshirë në afera të mundshme korrupsioni për të lehtësuar dënimin. Ai implikon më tej edhe Oficerin e Policisë Gjyqësore dhe avokatët mbrojtës të subjekteve të përmendura në çështjen e transportit të klandestinëve.

Në përgjime thuhet se Gjyqtari Olsi Xhavella do te takohet me disa persona të cilët pretendonin të ndërhynin në këtë çështje, ku një ndër ta cilësohet si sekseri i Olsit dhe është avokati Leonard Pasho (avokat në Korçë). Por për çudinë e këtij hetimi në momentin që do bëhej takimi ndërmjet Gjyqtarit Olsi Xhavella dhe sekserit të tij, me urdhër të Oficerit të Policisë Gjyqësore ndërpritet vëzhgimi. Më vonë nga përgjimet rezulton se Olsi Xhavella është takuar me sekserin e tij dhe i ka lënë afat për ti kthyer përgjigje për një moment të dytë, pasi duhej të shikonte dosjen. Ka qenë përgjegjësi e Prokurores Enkeleda Millonai që drejtonte hetimet që në këtë moment të merrte masat ndaj Oficerit të Policisë Gjyqësore (që drejtonte vëzhgimet) nëse ajo nuk po bashkëpunonte me të për të fshehur dhe moszbuluar të vërtetën”.

Akuzat e Carës shkojnë më tej kundrejt Prokurores për të cilën thotë se ajo në bashkëpunim me OPGJ-në ka penguar zbulimin e të vërtetës duke mos urdhëruar përgjimin dhe vëshgimin e avoktates që mbron një nga të akuzuarit për veprën penale.

Nga përgjimet rezulton se avokatja Eralda Brahimasi, e cila mbron të arrestuarin tjetër të po kësaj çështje (Adi Mullallin), pretendohet se i ka dhënë Kryegjyqtarit (kryesuesit të trupit gjykues Olsi Xhavella), shumën 7500-euro për të liruar të mbrojturin prej saj Adi Mullalli. Këtë e thotë Nejtoni (Nejton Bali) në përgjimet e datës 24.07.2020…. Ka qenë detyrë e Prokurores si drejtuese e veprimtarisë hetimore të nxirrte menjëhere autorizimin për vëzhgimin dhe urdhër për përgjimin e avokates Eralda Brahimasi”-thuhet në akuzë.

Më tej Caran në padinë prej 17 faqesh shpjegon me detaje përgjimet mbi çështjen për të cilën ai po dënimin me masën e sigurisë “arrest shtëpie” së bashku me bashkëshorten e tij.

Cara gjithashtu e ka kallëzuar Prokuroren edhe në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë duke e arsyetuar ankesën për shkelje të ligjit proceduar për hetimet, shtrembërim të fakteve dhe nxjerrje të akteve të paarsyetuara.

Gjyqtarja Margjeka gjatë seancës gjyqësore të disa muajve më parë akuzoi se ndaj saj po bëhëj gjyq politik pasi ajo vetë ishte gjyqtarja që nuk i dha mandatin Valbona Sakos për votimet e 30 qershorit 2019 ndërsa Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” është paraqitur nga disa medie afër qeverisë edhe si mbështetës i Partisë Demokratike.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *