Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Apelit në Rusi hedh poshtë kërkesën e Navalny për lirim nga burgu


Një gjykatë ruse ka dhënë urdhër që aktivisti Alexei Navalni të vazhdojë të mbahet në burg, duke hedhur poshtë apelin e tij për ta liruar. Navalni u arrestua më 17 janar nën akuzat se kishte shkelur kushtet e lirimit të parakohëshëm. Navalni u ndalua në aeroport kur po kthehej nga Gjermania ku qëndroi për disa muaj trajtimi pas helmimit me agjent nervor për të cilin ai fajëson Kremlinin. Autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë akuzat.

Të shtunën e kaluar autoritetet ruse arrestuan mijëra protestues, ndër ta edhe bashkëpunëtorë të Navalnit, gjatë demonstratave me thirrjen për lirimin e aktivistit opozitar.

Udhëheqësi i opozitës, i cili mund të dënohet me disa vjet burgim, dënoi procedurat gjyqësore ndaj tij si një fushatë e qeverisë për të frikësuar kundërshtarët e Kremlinit.

“Nuk do të arrini të frikësoni dhjetëra miliona njerëz që janë plaçkitur nga qeveria,” tha Navalni të enjten në gjykatë në një dëshmi me internet nga burgu.

Avokatët e tij kanë hedhur poshtë akuzat për shkelje të lirimit me kusht, duke argumentuar se ai nuk ishte në gjendje të kthehej, pasi po mjekohej në një spital gjerman. Ekipi i tij mbrojtës gjithashtu argumenton se garancitë që ofron ligji për të pandehurin ishin shkelur disa herë gjatë arrestit të tij.

Të mërkurën në mbrëmje, vëllai i Navalnit, Olegu, si dhe Lyubov Sobol, avokat në Fondacionin Anti-Korrupsion të Navalnit, u arrestuan dhe u informuan se do të mbaheshin për disa ditë, deri kur gjykata të përcaktojë kushtet e para-gjykimit, në kuadër të hetimeve për shkeljen e protokollit kundër pandemisë gjatë protestave të javës së kaluar.

Arrestimet të shtunën, që u panë nga shumë analistë si përpjekje për të penguar një valë tjetër demonstratash të dielën, u kryen pasi autoritetet zhvilluan më shumë se 10 bastisje në apartamente e zyra të familjarëve dhe përkrahësve të Navalnit.

“Agjencitë e rendit po bëjnë detyrën,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov në një telekonferencë me gazetarët. “Kishte një numër shkeljesh të ligjit. Agjencitë e rendit tani po veprojnë”.

Gjykata Rajonale e Moskës hodhi poshtë apelin e zotit Navalni kundër arrestit pasi dhjetëra mijëra njerëz mbushën rrugët në protesta në mbi 100 qytete ruse fundjavën e kaluar me thirrjet për lirimin e tij. Afro 4,000 vetë u ndaluan; disa u ndëshkuan me gjoba, të tjerët me burgim.

Si rezultat i demonstratave autoritetet ruse u kërkuan të enjten kompanive të medias sociale të bllokojnë komentet me thirrjet për protesta të reja.

“Shteti nuk do që rrjetet e medias sociale të bëhen platformë për promovimin e akteve të tilla të paligjshme,” tha zoti Peskov.

Vendet perëndimore i bënë thirrje Kremlinit të lirojë Navalnin, kritikun më të njohur të Presidentit Vladimir Putin.

Anthony Blinken, sekretari i amerikan i Shtetit, i sapo-emëruar në detyrë, shprehu shqetësim për trajtimin e Navalnit.

“Në të gjithë spektrin, siç e ka thënë presidenti, po analizojmë të gjitha këto veprime dhe jemi shumë të shqetësuar, qoftë për trajtimin e zotit Navalni apo për përdorimin, siç duket, të një arme kimike në përpjekje për ta eliminuar,” tha Sekretari Blinken në konferencën e tij të parë për shtyp të mërkurën në Uashington.

Alexei Navalni ra në komë gjatë udhëtimit nga Siberia për në Moskë në gusht 2020. Ai u transferua dy ditë më pas në një spital në Berlin. Analizat nga laboratorë në Gjermani, Francë e Suedi si dhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike arritën në përfundimin se Navalni ishte helmuar me noviçok, një agjent nervor i prodhuar nga Bashkimi Sovjetik, i cili mund të ketë efekte fatale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *