Organizata Transparency International ka publikuar raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, ku Shqipëria dhe Kosova paraqiten në një tablo të zymtë.
Sipas këtij raporti, viti 2020 sjell një panoramë të zymtë në të gjithë botën në fakt sa i takon korrupsionit, ku shumica e vendeve ka bërë pak ose aspak përparim në drejtim të luftës ndaj kësaj dukurie.
Në raport thuhet se korrupsioni jo vetëm minoi përgjigjen globale ndaj pandemisë COVID-19, por kontribuoi në një krizë të vazhdueshme të demokracisë.
“COVID-19 nuk është vetëm një krizë shëndetësore dhe ekonomike. Është një krizë korrupsioni. Dhe një që aktualisht nuk po arrijmë ta menaxhojmë. Viti i kaluar ka provuar qeveritë si askush në kujtesë, dhe ata me nivele më të larta të korrupsionit kanë qenë më pak të aftë për të përballuar sfidën. Por edhe ata që janë në krye të CPI-së duhet të trajtojnë urgjentisht rolin e tyre në përjetësimin e korrupsionit brenda dhe jashtë vendit.”– thotë shefja e TI-së, Delia Ferreira Rubio.
Siç vihet re në raport, dy të tretat e vendeve ose kanë mbetur në vend ose kanë pësuar rënie përsa i takon luftës kundër korrupsionit.
Shqipëria dhe Kosova llogariten me nga 36 pikë, në një sistem llogaritjeje të indeksit ku 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni, ndërsa zero aty ku korrupsioni është më i lartë.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor, në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Malin e Zi (45), Shqipëria (36), Kosova (36) dhe Maqedonia e Veriut (35), gjithashtu po luftojnë me përpjekjet anti-korrupsion, pavarësisht aspiratave drejt anëtarësimit në BE. Me një rezultat prej 35 pikësh, Bosnje dhe Herzegovina ka një rënie të rëndësishme në rajon, duke rënë shtatë pikë që nga viti 2012. Gjatë pandemisë, vendi përjetoi shkelje të shumta të të drejtave të njeriut dhe të punës, si dhe diskriminim në shpërndarjen e ndihmës ekonomike dhe pretendimin e prokurimit të paligjshëm të pajisjeve mjekësore. Në Indeksin Global të Konkurrencës, Serbia (38), Bosnja dhe Hercegovina (35) dhe Maqedonia Veriore (35) janë ndër dhjetë vendet e para me rrjedhjen më të lartë të trurit në mbarë botën, me profesionistët mjekësorë që lënë rajonin në kërkim të mundësive më të mira.” – thuhet në raportin e TI-së.
Krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria ka një pikë më shumë, ndërsa Kosova nuk ka ndryshuar numër pikësh.
Megjithatë të dy vendet futen në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe pa përparim në luftën kundër tij.
Lidija Prokic, e cila është Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë ka folur për Zërin e Amerikës lidhur me raportin.
“Kemi vërejtur shqetësime në lidhje me transparencën edhe në prokurimin publik të lidhur me COVID-in. Dhe kjo është diçka që me të vërtetë meriton shumë vëmendje nga ana e qeverisë. Do të ishte shumë inkurajuese nëse qeveria të reagonte për ato shqetësime”, thotë zonja Prokic për pjesën e Shqipërisë.
Por shqetësimet shtrihen përtej zbatimin e rregullave anti-korrupsion: “Kanë të bëjnë edhe me trajtimin e shoqërisë civile dhe trajtimin e mediave të pavarura dhe gazetarëve investigative. Jemi dëshmitarë që pretendimet e tyre shpesh hidhen poshtë dhe se ata trajtohen si një lloj opozite në vend që të shihen si një faktori korrigjues në shoqëri”.
Duke iu referuar paketës anti-shpifje, zonja Prokic thotë se është një çështje shumë e ndjeshme dhe se këto veprime kanë ndikim tek lufta kundër korrupsionit.
Ndërkohë për Kosovën, Prokiç thotë se dallimi është tek të veçantat e zhvillimeve politike atje.
“Situata në Kosovë është vërtet e mbingarkuar me çështje që janë thellësisht politike dhe kjo ka çuar mendoj në ngecje të përpjekjeve anti-korrupsion”, thotë ajo.