Vendosni fjalën kyçe....

“Shqipëria fiton ekonominë” – Basha prezanton programin qeverisës, ç’premtoi për secilën kategori (E plotë)


Kreu i Partisë Demokratike ka prezantuar sot programin qeverisës. Në një deklaratë nga selia blu, Basha, renditi të gjitha pikat kyçe nën moton ‘Shqipëria fiton ekonominë’.

Ai e nisi me vendet e reja të punës që qeveria e tij do hapë pas zgjedhjeve të 25 prillit, duke premtuar hapjen e 110 mijë vendeve të reja pune.

“Angazhimi i parë i programit tonë është minimumi 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët, përmes përmirësimit klimës së biznesit, dhe tërheqjes së investimeve të huaja.” – tha Basha.

Më tej gjatë fjalës së tij, kryedemokrati preku mbështetjen për rininë e familjet shqiptare duke theksuar se do ketë politike mbështetëse për të rinjtë dhe se çdo reformë apo masë e marrë do ketë në fokus ata dhe familjet shqiptare që janë shtylla e politikave qeverisëse të qeverisë së re.

“Familja shqiptare është qendra, shtylla e politikave tona. Shqipëria do të fitojë me familje më të arsimuara, ma familje me të ardhura të sigurta, me familje që marrin mbështetje nga shteti dhe që paguajnë  taksa të ulëta, të cilat do të ulin shpenzimet familjare dhe do të rrisin mirëqenien. Rinia ka qenë është dhe do të jetë në këtë program fokusi kryesor i imi personal dhe i politikave tona. Rinia shqiptare është fokusi i këtij programi dhe e ardhmja e vendit, çdo masë, reformave fiskale, taksave, fushës së arsimit, politikat e nxitjes së investimeve të punësimit kanë për qëllim kryesor promovimin e të talentuarve dhe të aftëve dhe thithjen e talenteve të reja.” – shtoi ai.

Më tej, Basha tha se nën qeverisjen e tij paga minimale në vend do jetë 36 mijë lekë të reja e po kështu do ketë lehtësira për biznesin në mënyrë që të nxitet fuqizimi i tij dhe rritja e vendeve të punës.

“Unë angazhohem të rris pagën minimale dhe ta çojë atë në 36 mijë lek të reja në muaj, zotimi im i para 2 viteve para bashkimit të sindikatave shqiptare, është sot pjesë e planit tonë ekonomik. Rritja e pagës do të bëhet duke krijuar lehtësira për biznesin, duke e mbështetur atë, që jo vetëm të rritet paga minimale, por edhe numri i të punësuarve dhe jo siç ndodh sot, ku për shkak të kostove, taksave, gjobave, biznesi detyrohet të shkurtojë vende pune.” – vijoi kryedemokrati.

Kreu i PD-së theksoi gjithashtu se qeveria e tij do i ulë taksat mbi të ardhurat personale në 9% duke mos prekur të ardhurat nën 30 mijë lekë në muaj ndërsa e njëjra tarifë do përdoret edhe mbi fitimin e të gjitha bizneseve në vend me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja.

“Për 8 vite Rama jua rriti taksat shqiptarëve dhe i varfëroi ata, unë angazhohem t’i ul taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh, dhe po kështu të vendosim taksën 9% të fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja. Unë angazhohem të ul sigurimet shoqërore në vlerën 18%.”­ – theksoi ai.

Një vëmendje i kushtoi Basha në fjalën e tij edhe operatorëve të transportit publik dhe çdo pronari automjeti në vend duke thënë se që ditën e parë të qeverisë së re, do paguajnë 24 lekë të reja më pak për çdo litër karburant. Po kështu ai premtoi se do ulë çmimin e energjisë elektrike për konsumin nën 300 kilovat.

“Një nga vendimet e para të qeverisë të dalë nga vota e 25 prillit do të jetë anullimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin. Për të gjithë operatorët e transportit shqiptar, për çdo pronar automjeti, nga më i riu tek më i vjetri, për të gjithë ata që nuk kanë një automjet po e ndiejnë pickimin në lëkurën e tyre sa herë ju duhet të udhëtojnë brenda qytetit, nga një qytet në tjetrin, për këdo që e di apo e mëson sot se karburanti është pjesë e çmimit të gjithçkaje që blejnë në treg dua tua them fare qartë se prej ditës së parë të qeverisë së re të dalë nga vota juaj më 25 prill çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë më pak të vjetra sesa ju kushton sot.” – vijoj Basha.

Basha theksoi në vijim se pensionet do rriten me të paktën dyfishin e normës së inflacionit si dhe jo më pak se 5% në vit.

“Angazhohem se do të risim pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit tonë të parë  pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit.” – tha Basha.

Për sa u përket studentëve, kryedemokrati pohoi se qeveria e tij do mbulojë shpenzimet arsimore për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura të ulta ndërsa premtoi ndihmë edhe për çiftet e reja të martuara në vend për sa i përket strehimit të tyre.

Ne do të mbulojmë shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Ne do të mbështesim familjet shqiptare. Çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për pesë vitet e para të jetës. Çdo vit të qeverisjes time 5 mijë çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi I plotë I interesave të kredive për strehim, çka do të thotë për ju të sapomartuar apo të sapofejuar apo që doni të hidhni këtë hap në jetë por që nuk keni asnjë mundësi as ta çoni nëpër mend blerjen e një banese, se pas 25 prillit qeveria juaj do të paguaj 100% interesat bankare për çdo kredi që do të merrni për të blerë një apartament apo një banesë. Në fund të mandatit tonë të pare, do të jenë 20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë siguruar strehim përmes kësaj skeme të subvencionimit të interesave.” – tha Basha.

Mjekët, infermierët e arsimtarët do njohin rritje page vijoj Basha fjalën e tij, duke thënë se do jenë ndër kategoritë që do kenë vëmendje të veçantë nga qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Ai tha se mësuesit do njohin rritje page 60% ndërsa mjekët e infermierët do kenë respektivisht pagë 1200 euro dhe 700 euro.

Në fund kryedemokrati pati një premton për fermerët në vend duke pohuar se do kenë të njëjtën ndihmë financiare si vendet e rajonit me 100 milionë euro ndihmë direkte.

Ne do të japim një financim rekord nga buxheti i shtetit për fermerët dhe kjo është diçka unë kam pasur mundësinë ta diskutoj me ta nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Për herë të parë, me qeverinë e dal nga vota e 245 prillit fermeri shqiptar do të ketë të njëjtën mbështetje si fermerët e vendeve fqinje. 100 milionë euro mbështetje direkte, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale. Fermerët janë zemra punëtore e Shqipërisë. Prodhimet e tyre duhet e do të jenë krenaria jonë.”­ – mbylli prezantimin e programit qeverisës, Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *