Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke lënë në burg infermieren e infektivit, e cila akuzohet se vodhi para nga një pacient me Covid-19, i cili më pas kishte ndërruar jetë.
Infermierja 30-vjeçarje, Ronida Hysa do të qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të hetimeve.
Ajo ka pranuar akuzën për vjedhjen e parave të pacientit që humbi jetën nga Covid-i, duke i tërhequr nga llogaria bankare e tij plot 600 mijë lekë të vjetra ndërsa ka shfaqur pendesë para gjykatës.
Ajo është shprehur se e kishte bërë këtë për arsye ekonomike, pasi jetonte me fëmijën 2-vjeç për të cilin duhej të kujdesej.
Infermierja e re vijonte të tentonte për të tërhequr para përmes kartës bankare të të moshuarit të ndjerë, edhe pse nuk kishte më para në llogari.
Ronida Hysi u arrestua pak ditë më parë, pas një denoncimi në emisionin “Stop”, ku një djalë e akuzoi se i kishte marrë 20 mijë lekë të reja në portofol babait të tij të ndjerë si dhe kartën e bankës me kodin Pin.
Më pas ajo kishte tërhequr edhe 40 mijë lekët e tjera nga banka duke e boshatisur llogarinë.