Kreu i PD-së ka vizituar sot dy pensionistë me të cilët ka folur mbi vështirësitë me të cilat përballen.
Basha shkruan se ata i janë ankuar për pensionet e ulëta e çmimet e larta të ilaçeve, energjisë, ujit e ushqimeve.
Kryedemokrati shkruan se qeveria e Ramës nuk ka menduar për ta këto 8 vite dhe se qeveria e re e drejtuar prej tij do rrisë pensionet dhe se nga goja e tij nuk po dëgjonin premtime boshe por angazhime serioze.
“U takova sot me dy pensionistë në Tiranë, Gëzim dhe Lili Sula dhe bisedova me ta për vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë. Ata më shprehën trishtimin që pensionet e ulëta që marrin nuk i lejojnë të bëjnë një jetë normale. Ilaçet janë të shtrenjta, faturat e energjisë dhe ujit u përgjysmojnë pensionin, çmimet e ushqimeve janë rritur shumë. Për 8 vjet qeveria nuk ka menduar për të rritur pensionet e tyre. Bashkë folëm dhe për programin ekonomik të PD. I njoha me angazhimin dhe punën tonë të gjatë për të hartuar programin, i cili do të rrisë pensionet me 2-fishin e normës së inflacionit, por jo më pak se 5% çdo vit. I sigurova se nuk po dëgjojnë premtime boshe, por angazhime serioze të mbështetura në plane të hollësishme pune. Falë njerëzve si Gëzimi dhe Lili, më 25 prill Shqipëria do të fitojë.” – shkruan Basha.