Presidenti amerikan, Joe Biden ka përmbysur një ndalesë të fondeve federale, që shkojnë për grupet ndërkombëtare të ndihmës, të cilat japin informacione për abortet.
Ai ka thënë se dhënia fund e të ashtuquajturës Politikë e Meksiko Sitit, kthen mbrapsht “sulmet” e ish-presidentit amerikan, Donald Trump ndaj “qasjes në kujdes të grave”.
Memorandumi urdhëron një rishikim të politikës së kohës së Trumpit, e cila bllokon fondet për klinikat amerikane, të cilat ofrojnë edhe referime për abort.
Biden të enjten ka nënshkruar edhe një dekret që zgjeron programin e sigurimit shëndetësor Obamacare.
“Nuk jam duke krijuar ligj të ri, apo aspekt të ri të ligjit”, ka thënë ai në Shtëpinë e Bardhë, duke iu përgjigjur kritikave se ai po udhëheq me urdhra ekzekutivë dhe jo me legjislacione përmes Kongresit.
“Nuk po bëjmë asgjë të re, vetëm po rikthejmë Aktin e Përballueshëm për Kujdes (Obamacare)… në mënyrën si ka qenë para se Trump të bëhej president”, ka shtuar ai.
Kjo qasje e miratuar fillimisht nga ish-presidenti republikan, Ronald Reagan më 1984, është rikthyer gjithmonë nga republikanët dhe është pezulluar nga demokratët.
Për dekada, Shtetet e Bashkuara kanë pamundësuar shpenzimin e parave në aborte jashtë shtetit, mirëpo Politika Meksiko Siti shkon një hap më tutje.
Ajo parandalon ndarjen e fondeve federale për organizatat që ofrojnë aborte, konsulta për aborte apo mbrojtje të të drejtave të abortit.
Programi është zgjeruar nga Trump, i cili ka ndaluar ndarjen e fondeve për organizatat joqeveritare që ofrojnë fonde për grupe të abortit.
Përmes një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka thënë se po merr vendime si president “për të mbështetur shëndetin riprodhues të grave dhe vajzave dhe të drejtat e tyre në SHBA dhe në nivel global”.