Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni i Aeroportit të Rinasit zgjatet me 13 vjet, kontrata e re dorëzohet në Kuvend


Koncesioni i Aeroportit të Rinasit do të zgjatet edhe me 13 vjet. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave  dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport”, sh.p.k., “Për ndërtimin, vënien ne pune, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë”, dorëzuar në Kuvend parashikon ndër të tjera edhe këtë.

Marrëveshja e rishikuar sjell ndryshime në pikën dy ku, ndër të tjera, ndryshimin e afatit të marrëveshjes koncesionare, duke e zëvendësuar afatin 22 vite me atë në 3 5 vite.

Uljen e pagesave për shërbimet e aeroportit, pikerisht “Pagesa për pasagjerët”, e cila, pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do të jetë 10 (dhjete) euro për personat mbi 12 vjec; dhe 3 (tre) euro per fëmijë nga 2 deri në 12 vjec. Pagesa për pasagjerët do të jetë e pagueshme vetëm nga pasagjerët që largohen nga vendi”.

Në relacion thuhet se shoqëria do t’i përmbahet një plani investimesh  i cili do të reflektojë më mirë nevojat për modemizimin e aeroportit në kuptimin infrastrukturor dhe të shërbimeve, ndryshime të imponuara edhe nga ndryshimet në jetën ekonomike dhe shoqërore te vendit, flukset e lëvizjes, nevojat teknologjike, si dhe ndryshimet në legjislacionin shqiptar.

Miratimi i projektligjit parashikon efekte vetëm për shoqërinë koncesionare, e cila do të detyrohet të ule fitimet e saj si rezultat i reduktimit të tarifës për pasagjerët, si dhe, nga ana tjetër, do të duhet të investojë shumën e parashikuar (mbi 99 milionë euro) tërësisht nga fondet e veta.

Blerja nga “Kastrati Group”

“Kastrati group” u bë vetëm pak javë më parë aksioneri i 100% i  aksioneve të “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

“Kastrati Group” i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”, që në prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Marrëveshja mes “Kastrati Group” dhe “Real Fortress Private Limited” është nënshkruar më 1 dhjetor 2020 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 18 dhjetor. Sipas kontratës, grupi Kastrati do të paguajë gjithsej 71 milionë euro përmes dy pagesave. Sipas referimit në kontratë: Shpërblimi për aksionet sipas kësaj marrëveshjeje dhe akti i transferimit do të jetë një shumë në para e barabarte me shumën e:

-15,000,000 EUR (“Pagesa Fillestare”); plus

-56,000,000 EUR plus një shumë e barabartë me Rregullimin e Bilancit të Parasë (“Shuma e Mbylljes”);

Grupi kinez, i shërbimeve financiare China Everbright, i kishte blerë në 2016-n të drejtat koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes filialit të saj “Real Fortress Private Limited” për 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.

Të drejtat koncesionare iu blenë nga tre aksionerëve Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”, DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”), që kishin nënshkruar një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare në vitin 2004.

Në mars të vitit 2016 qeveria shqiptare njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me kompaninë që menaxhonte aeroportin duke hequr kështu ekskluzivitetin, ngërçin që pengonte hapjen e aeroporteve të tjerë.

Kastrati është grupi më i madh në vend, me aktivitetin kryesor në fushën e tregtimit me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, por që vitet e fundit është diversifikuar, kryesisht në sigurime, në sektorin e ndërtimit dhe turizmit dhe tashmë po hyn dhe në transportin ajror, përmes aeroportit.

Në vitin 2019, qarkullimi vjetor i grupit iu afrua 90 miliardë lekëve (730 milionë eurove), duke shënuar vitin më të mirë historik, pas një rritjeje të të ardhurave me rreth 5%.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *