Rritja e numrit të vdekjeve gjatë vitit 2020 ka dhënë një ndikim të konsiderueshëm në dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit të jetës në Shqipëri.
Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vlera e dëmeve të paguara nga siguruesit u rrit me 25% dhe arriti në pak më shumë se dy milionë euro. Tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri është i përqendruar kryesisht në sigurimin e jetës së debitorëve, produkt ky praktikisht i detyrueshëm, për shkak të kërkesave të institucioneve të huadhënies për kreditë afatgjata.
Mbështetur në të dhënat e AMF, janë më shumë se 60 mijë kredimarrës që detyrohen të sigurojnë jetën çdo vit, si garanci për huatë e marra, kryesisht për blerjen e banesave. Ky produkt mbizotëron edhe në strukturën e dëmeve, me më shumë se 5% të totalit të dëmeve të paguara gjatë vitit 2020.
Mbështetur në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, për vitin e kaluar u regjistruan rreth 6 mijë vdekje më shumë krahasuar me një vit më parë, me rritje prej 28%.
Një ndër faktorët kryesorë që besohet se ka sjellë rritje të vdekjeve është infeksioni i Covid-19. Rritja e vdekshmërisë në tregun e sigurimit të jetës megjithatë është reflektuar në mënyrë të pjesshme. Numri i dëmeve të paguara, të lidhura direkt me humbjen e jetës, për vitin 2020 ishte rreth 90 më shumë krahasuar me një vit më parë. Në tërësi, sigurimi i jetës në shoqërinë shqiptare është në nivele të ulëta, me rreth 3.2 euro prime sigurimi për frymë dhe afërsisht tre kontrata sigurimi për 100 banorë. Nga ana tjetër, vdekjet e shkaktuara nga Covid-19 kanë prekur më shumë një grupmoshë që nuk është subjekt i ofrimit të këtyre sigurimeve.
Megjithatë, shifrat tregojnë se pasojat e rritjes së numrit të vdekjeve janë ndier edhe në këtë treg. Raporti i thjeshtë aritmetik mes dëmeve dhe primeve të shkruara bruto për vitin 2020 u rrit në më shumë se 22%, nga 16.9% një vit më parë.
Tregu i sigurimit të jetës i ndjeu pasojat e krizës së pandemisë sidomos në drejtim të rënies së numrit të kontratave dhe primeve. Statistikat treguan se për vitin 2020, primet e shkruara bruto ranë me 4%, ndërsa numri i kontratave pësoi rënie me 20%. Produkti më i prekur ishte ai i sigurimit të jetës dhe shëndetit në udhëtim, me rënie rreth 70% si në vlerë primesh, ashtu edhe në numër kontratash të nënshkruara.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al