Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në konferencën e zhvilluar sot deklaroi se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelore për një demokraci të shëndoshë. Ai bëri thirrje për respektimin e masave të vendosura nga Komiteti Teknik për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
“Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelore për një demokraci të shëndoshë. Edhe pse në kushte aspak të favorshme për shkak të pandemisë së COVID-19, zhvillimi i zgjedhjeve është një parakusht i panegociueshëm për të mundësuar mbijetesën e një demokracie. Për këtë qëllim përpos kushteve të tjera të cilat mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve me standard duhet të jemi të ndërgjegjshëm në respektimin me rigorozitet të të gjithë masave ta vendosura nga Komiteti Teknik për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Ndihem komod sot si përfaqësues i Partisë Socialiste për shkak të vullnetit të qartë, të dëshmuar edhe në reformën e fundit, për të realizuar zgjedhje me standarde dhe një proces zgjedhor të bazuar në konsensus midis aktorëve politikë”, deklaroi Balla.
Ai garantoi se mazhoranca do të organizojë zgjedhje me standardet më të larta më 25 prill.
“Ne do t’ia dalim të organizojmë zgjedhje me standarde më të larta, qoftë se ato pararendëse, por shumë pranë standardeve më të mira demokratike. Dhe jam po aq i bindur sot se do të arrijmë t’i adresojmë sëbashku rekomandimet e mbetura të lëna nga OSBE/ODIHR” në Kuvendin e ri që do të dalë pranë këtyre zgjedhjeve.”, tha Balla.