Vendosni fjalën kyçe....

Detajet qesharake nga fushata në Berat – Kushëriri i Gledjon Rehovicës del e thotë se i është mërzitur LSI-ja


Gledjon Rehovica ishte ndër të parët ish-pjesëtarë të LSI-së që u bashkua me PS-në, pas Nasip Naços. E sot, kushëriri i tij Altin Kazazi ka dalë në një deklaratë për mediet duke thënë se është një pjesëtar i LSI-së që ka vendosur të largohet nga kjo forcë politike për t’u bashkuar me PS-në, pasi të parën e konsideron se përfaqëson “interesa të ngushta familjare”.

Por ai vetë ka harruar të përmendë lidhjet e veta familjare me Gledjon Rehovicën, të cilin e ka kushëri (djali i tezes) por është prezantuar thjesht si një qytetar i Beratit.

“Ne kemi dhënë kontributin tonë për LSI-në që në vitet e para të gjimnazit.  Por sot me LSI-në nuk na lidh me asgjë sepse LSI nuk përfaqëson më asgjë tjetër përveç një rrethi të ngushtë interesash familjare dhe politike!  

Jemi shumë të keqardhur që LSI sot është kthyer në një parti ku duhet të jesh ose kushëri ose shërbëtor i familjes së udhëheqjes. Mjaft që të përmendim ish kryetarin e Bashkisë dhe kandidatët për deputetë sot, të gjithë kushërinj të Metës dhe shërbëtorë të Monikës.  Si mund të bëhemi ne shërbëtorë të kushërinjve të tyre gjoja në emër të rinisë?

LSI thotë Shqipëria është shtëpia juaj, ndërsa LSI vetë është shtëpia e kushërinjve dhe shërbëtorëve që tjetër thonë e tjetër bëjnë! Ne nuk jemi dot fasada e propagandës elektorale te Monikës dhe Metës, prandaj sot të gjithë së bashku kemi vendosur të ikim nga shtëpia e kushërinjve dhe shërbëtorëve, po jo nga Shqipëria! Ne do të regjistrohemi anëtarë të PS aty ku po regjistrohen përditë ata që LSI-në e kishin pasion jo pazar! Çfarë nuk kemi dëgjuar dhe duruar për pazaret e bëra në Tiranë me kontributet tona elektorale! Boll më!  Ne do të vazhdojmë të angazhohemi si qytetarë në politikë për Beratin që duam me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.”, tha Kazazi i cili u shfaq krah ministrit të Turizmit Blendi Klosi.

Mediet pranë qeverisë nxituan ta raportonin lajmin e largimit të Kazazit si një “shkërmoqje të LSI-së së Beratit”, por nuk përmendën këtë detaj kaq të rëndësishëm që zbulon se sa po degradon fushata e PS-së kundër LSI-së në këtë qark.

Një tjetër detaj që është lënë pa përmendur, është se Altin Kazazi ka qenë kreu i inspektoratit, në degën rajonale Berat, që rreth tre vjet më parë është akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi. E sot po ky e pranon dhe e promovon në PS./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *