Policia e Shtetit ka dhënë informacion shtesë lidhur me arrestimin e një 19-vjeçari nga Kosova i cili u kap me armë pa leje ditën e sotme.
Madje policia ka shpërndarë edhe videon e arrestimit, pasi shtetasi me iniciale 19 vjeçar fillimisht u largua nga makina me vrap por pas ndjekjes nga efektivi ka ndaluar duke iu nënshtruar arrestimit.
19 vjeçari ka qenë person në kërkim në Kosovë pasi akuzohet për veprën penale “vrasje në tentativë” për shkak se ka qëlluar në shtator të vitit 2020 një mjek.
Njoftimi i policisë:
Informacion shtesë në lidhje me arrestimin e 19-vjeçarit kosovar që qarkullonte me armë zjarri me vete dhe drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Në lidhje me arrestimin e shtetasit U. A. që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, të cilit gjatë kontrollit fizk iu gjet një armë zjarri, ju informojmë se:
Shtetasi U. A., nga verifikimet e mëtejshme të kryera nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me ILECU Kosovë, ka rezultuar se ishte person në kërkim për llogari të Kosovës, për veprën penale “Vrasja e mbetur në tentativë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë urdhër-arrestin për këtë shtetas, i cili i është dërguar Interpol Tiranës, me qëllim ekstradimin e tij drejt Kosovës.
Ky shtetas, në muajin shtator 2020, në një spital në Prshtinë, ka goditur me thikë në tentativë për ta vrarë një doktor të spitalit, duke e plagosur rëndë.
Sqarojmë se shtetasi U. A., në momentin e ndalimit nga ana e Policisë Rrugore, për kontrollin e dokumentacionit, ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur së bashku me armën e zjarrit, gjatë ndjekjes nga partullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë.
ILECU Kosovë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, vijon punën për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Kosovës.