Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi me të rinjtë në Tiranë: Prioriteti ynë jeni ju, LSI e mban gjithmonë fjalën e dhënë


Paraditen e sotme kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë në Njësinë nr. 1 në Tiranë.

Ajo ka ndarë me ta programin e forcës së saj politike ndërsa ka theksuar se prioritet kanë pikërisht rininë.

Kryemadhi shprehet se LSI e mban gjithmonë fjalën e dhënë.

“Ne si LSI e kemi prioritet rininë, jo vetëm këtë radhë, por e kemi pasur gjithmonë. Ne jemi një parti që e mbajmë fjalën për atë që themi. Dhe nuk e kemi pasur mundësinë për të qenë vendimmarrës le të themi në politikë, por jam e bindur që 25 prilli do t’ia japë shansin Erisës, Floidës e shumë të rinjve dhe të rejave, për të qenë ata vendimmarrës.

Të mbash fjalën, do të thotë t’u japësh njerëzve mundësi, duke krijuar hapësira dhe politika të mira për ta. Asnjëri nga këto këtu nuk është as fëmija, as kushërira e Monikës, pjesa më e madhe janë fëmijë intelektualësh në Tiranë, të cilët kanë arritur çdo gjë me meritë.”- u shpreh zonja Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së u shpjegoi atyre dhe programin ‘Nga Bebja në Bebe’ ndërsa u siguroi të rinjve se fokusohet tek ata, të cilët nesër do të jenë prindër.

Kryemadhi tha se 5 prioritetet e LSI-së janë të realizueshme në 5 muaj dhe në focus të gjitha kanë rininë.

“Pjesa më e madhe e juaj, e rinisë shqiptare, pasi nuk e themi ne, por e thonë shumë studime të ndryshme, duan të largohen nga vendi për shkak të mungesës së punësimit, për shkak të mungesës së një pune të mirë paguar, për shkak edhe të klimës agresive, acide ndaj të rinjve dhe të rejave, për shkak të dhunës psikologjike që ushtrohet ndaj brezit të ri.

Dhe një nga pikat kryesore që ne kemi, 5 prioritetet tona që janë të realizueshme në 5 muaj, fokusohen në fakt e gjitha te rinia. Fokusohet te rimbursimi i shpenzimeve të qytetarëve 5 për qind. Ky do të sjellë një efekt të menjëhershëm në buxhetin e familjeve shqiptare. Dhe projekti ‘Nga bebja në bebe’ ka të bëjë me vizionin e një kombi për tu populluar, për të ulur moshën mesatare, por edhe për ta rinuar popullsinë shqiptare janë dy ekstremet e pesë prioriteteve tona, të cilat përfshihen në një kosto zero në buxhetin e shtetit, përkundrazi rrisin të ardhurat në buxhet por edhe në xhepin e shqiptarëve dhe krijon një shpresë për të gjithë ju që sot jeni votues për herë të parë, por që nesër do të bëheni prindër.

Prandaj dhe ne ju kërkojmë ju votuesve për herë të parë që të angazhoheni jo thjesht me votën tuaj, por me angazhimin e politikave dhe të jeni gardianët e politikës, në mënyrë të tillë që politikanët dhe partitë politike të mos bëjnë më çfarë të duan, por të jenë të detyruar të jenë shërbëtore dinjitoze të qytetarëve, e sidomos të votuesve për herë të parë.”- u shpreh Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *