Vendosni fjalën kyçe....

Ndezën protesta nga SHBA-ja e tutje nëpër botë, ‘Black Lives Matter’ nominohet për çmimin ‘Nobel për Paqen’


Lëvizja ‘Black Lives Matter’ që ka vënë në flakë sheshet e rrugët në gjithë SHBA-në përgjatë gjithë vitit që lamë pas, është nominuar për çmimin Nobel për paqen për vitin 2021.

Kjo siç shkruan gazeta “The Guardian” për mënyrën se si thirrja e kësaj lëvizjeje për ndryshim sistemik është përhapur nga SHBA-ja më pas në të gjithë botën.

Nominimi është bërë nga deputeti norvegjez Petter Eide, i cili tha se lëvizja kishte detyruar vendet jashtë SHBA-ve të luftonin kundër racizmit brenda shoqërive të tyre.

“Unë konstatoj se një nga sfidat kryesore që kemi parë në Amerikë, por edhe në Evropë dhe Azi, është lloji i konfliktit në rritje bazuar në pabarazi.”- tha Eide. “Black Lives Matter është bërë një lëvizje shumë e rëndësishme në të gjithë botën për të luftuar padrejtësinë racore. Ata kanë pasur një arritje të jashtëzakonshme në ngritjen e vetëdijes globale dhe vetëdijes për padrejtësinë racore”.

Eide, i cili më parë ka nominuar aktivistë të të drejtave të njeriut nga Rusia dhe Kina për këtë çmim, tha se një gjë tjetër që i bëri përshtypje rreth lëvizjes ‘Black Lives Matter’ ishte mënyra se si “ata kanë qenë në gjendje të mobilizojnë njerëz nga të gjitha grupet e shoqërisë, jo vetëm afrikano-amerikanët, jo vetëm njerëz të shtypur, ajo ka qenë një lëvizje e gjerë, ndryshe nga paraardhësit e tyre.”

Një studim i realizuar nga Projekti i Vendndodhjes së Konflikteve të Armatosura dhe të Dhënave të Ngjarjeve, i cili vëzhgoi 7.750 demonstratat e organizuara nga kjo lëvizje në katër muaj të vitit të kaluar, zbuloi se 93% e tyre ishin kryesisht paqësore. E megjithatë fotografitë dhe videot e publikuara nga gazetarët në të gjithë Amerikën përshkruajnë një tjetër skenë.

Lëvizja ‘Black Lives Matter’ u bashkë-themelua në vitin 2013 nga Alicia Garza, Patrisse Cullors dhe Opal Tometi pasi u lirua nga akuzat i dyshuari që qëlloi Trayvon Martin në SHBA. Ajo fitoi njohje më të gjerë në vitin 2014 pas protestave mbi vdekjet e Michael Broën dhe Eric Garner dhe ishte burimi i një serie protestash globale në vitin 2020 pas vdekjeve të George Floyd dhe Breonna Taylor.

Nominimet për çmimin “Nobel për Paqe” pranohen nga çdo politikan që shërben në një nivel kombëtar dhe atyre u lejohen vetëm 2,000 fjalë për të argumentuar zgjedhjen e tyre.

Fituesi zgjidhet në tetor dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve është planifikuar për 10 dhjetor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *