Vendosni fjalën kyçe....

OBSH kritikon BE-në mbi kontrollet e eksportit të vaksinave: Zgjasin pandeminë


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kritikuar BE-në për kontrollet e eksportit të vaksinave të prodhuara brenda bllokut që ka njoftuar se do bëjë, duke thënë se masa të tilla rrezikojnë zgjatjen e pandemisë.

BE-ja e prezantoi këtë masë mes një grindjeje me kompanitë prodhuese të vaksinave mbi vonesat e furnizimeve, shkruan BBC.

Por nënkryetarja e OBSH-së Mariangela Simao, tha se ky reagim i BE-së ishte një “trend shumë shqetësues”.

Më herët shefi i OBSH-së Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se “nacionalizmi i vaksinave” mund të çojë në një zgjatje të periudhës së shërimit të të infektuarve.

Ai tha se grumbullimi i vaksinave do të “mbajë pandeminë të ndezur dhe … ngadalësojë rigjenerimin e ekonomisë globale” përveç se është një “dështim moral katastrofik” që mund të zgjerojë më tej pabarazinë globale.

Çfarë po bën BE-ja?

Bashkimi Evropian po fut kontrollet e eksportit lidhur me vaksinat e koronavirusit të prodhuara në bllok.

I ashtuquajturi mekanizëm i transparencës u jep vendeve të BE-së kompetenca për të mohuar autorizimin për eksportet e vaksinave, nëse kompania që i bën ato nuk ka respektuar kontratat ekzistuese me BE-në.

“Mbrojtja dhe siguria e qytetarëve tanë është një përparësi dhe sfidat me të cilat përballemi tani nuk na linin zgjidhje tjetër veçse të vepronim.”– tha Komisioni Evropian i cili vendosi t’i merrte këto masa pasi kompanitë filluan të shkaktojnë vonesa në furnizimin me dozat e vaksinave.

Kontrollet do të prekin rreth 100 vende të botës – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, Kanadanë dhe Australinë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *