Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Nuk ka ‘oligark’ të më detyrojë mua të marr vendime, por ata janë punëdhënësit më të mëdhenj të Shqipërisë


“A dhe sa shqetësuese është për ju teza e shumëpërfolur, se një grusht oligarkësh janë duke grumbulluar dhe kapsitur gjithë pasurinë e Republikës së Shqipërisë?”– kjo është pyetja që iu drejtua kryeministrit Edi Rama nga gazetari i vetëm në lidhje online me takimin e tij sot në Korëë.

Rama dha një përgjigje të gjatë, duke këmbëngulur se një shqetësim i tillë nuk ekziston në Shqipëri. PAsi sipas tij në vendin tonë nuk ka njerëz të pasur që marrin vendime për llogari të Shqipërisë apo të detyrojë Ramën të marrë vendime.

Madje ai shprehet se ata që opozita i quan ‘oligarkë’, janë kontributorë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, me taksa dhe bëjnë investime të mëdha në Shëndetësi, Rindërtim, etj,…

Përgjigja e Ramës:

Të falenderoj shumë për pyetjen dhe më vjen keq që më duhej të vija deri në Korëë për të marrë pyetje dhe jo pretencë prokurori apo gjykatësi.

E para, duhet të shohim faktet mendoj unë dhe këtu ka një problem të madh të shtrembërimit të fakteve. Keni zgjedhur një sistem ku padiskutim do kemi njerëz shumë të pasur dhe do kemi diferenca të mëdha mes tyre dhe tjerëve. Mund të jenë këta që janë, mund të jenë të tjerë komplet, nuk kanë rëndësi emrat.

Çështja është e thjeshtë, këta njerëz shumë të pasur, e para, a e krijojnë, a e zhvillojnë pasurinë e tyre në rrugë të ligjshme, e dyta, këta njerëz shumë të pasur a i kthejnë shoqërisë në formë kontributesh atë që i detyrohen, dhe e treta këta njerëz shumë të pasur a janë në punën e tyre apo bëjnë edhe punën e qeverisë, në sensin e influencës mbi qeverinë.

Përdoret fjala oligark, por kjo fjalë nuk lidhet thjesht me sa para ke. Por sa pushtet ke mbi vendimmarrjen, që do të thotë pushtet okult, jo legjitim, pushtet i ushtruar përmes influencës tënde si aktor në treg, jo përmes mandateve të përfaqësimit. Në këtë sens nuk ka oligarkë në Shqipëri, sepse nuk ka në Shqipëri njerëz të pasur që marrin vendime për llogari të qeverisë. Nuk ka në Shqipëri ndonjë që të më detyrojë mua apo qeverinë tonë që të marrim vendimin që shkon në interes të tij dhe në dëm të interesit publik.

Në Shqipëri para se ne të vinim në qeveri paguanin më pak taksa dhe fitonin më shumë. Ky është fakt. Ata kishin një taksë të sheshtë njësoj si furrat e bukës në Korçës 10% dhe sot ata taksohen 15%. Tjetër fakt, në këto 7 vjet hapësira e kompanive për të pasur akses në punët publike është shu8mëfishuar.

Nëse para 7 viteve numri i atyre që kishin akses në fonde publike për të bërë punë, por që kalonin nga kanali i konkurrencës përmes tenderave ishte X, sot është Y, shumë më i madh se X. Ka shumë aktorë sot në treg, sesa kishte dje.

Duhen marrë këta ‘oligarkët’ dhe duhet parë çfarë kanë dhënë dhe çfarë kanë marrë, se flitet për ta dhe duket sikur flitet për ca njerëz që janë si ata personazhet e filmave të realizimit socialist. Në fakt, këta janë punëdhënësit më të mëdhenj të Shqipërisë, pra mbajnë në punë dhjetëra mijëra njerëz. Këta janë kontributorë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, me taksa. Financohen edhe shkollat, edhe shtëpitë e rindërtimit. Dhe e fundit, këta janë aktorë, të cilët në kushtet e Shqipërisë që qeverisim ne, thjesht dhe vetëm kanë kontribuar kur është fjala për projektet e partneritetit publik privat, disa prej tyre, dhe përfituesi është publiku në radhë të parë, sepse këtu është bërë një propagandë e shfrenuar kundër fjalës PPP dhe koncesion. Po çfarë është në fakt e gjitha? Është marrja nga sektori privat i një investimi që shteti nuk ka mundësi ta bëjë në një hark të shkurtër kohe dhe kthimi i këtij investimi në vite. Pra, është njësoj si të shkosh në bankë të marrësh para dhe t’i kthesh ato në vite, duke pasur edhe ofrimin e shërbimit. Marrim Check-up, kontrollin mjekësor bazë, që ka luajtur një rol shumë të madh në verifikimin e gjendjes shëndetësore pa asnjë pagesë për njerëzit. Një kompani private ka investuar gjithë sistemin, laboratorët dhe sistemin e nxjerrjes së rezultateve, plus dhe gjithë sistemin e distribuimit të pajisjeve dhe elementeve që duhen për të realizuar Check-up. Nga kjo qindra mijëra njerëz kanë bërë kontrollin bazë falas dhe shteti paguan mbrapsht në mënyrë të përvitshme. Kjo është një marrëdhënie krejt e natyrshme interesash, ku shteti ka interesin publik dhe privati ka interesin e fitimit.

Por, ama këtu nuk rëndohet xhepi i qytetarit, sepse për të paguan shteti. Rruga e Arbrit, që është një nga rrugët më të premtuara në vendin tonë. Po bëhet, po investon një kompani private. Kjo do bëjë të mundur se deri në fund të vitit, shpresojmë, rruga do të jetë e përfunduar plotësisht. Shumë shpejt rruga do të hapet. Brenda një kohe të shkurtër ne do të kemi rrugën. Për 13 vjet ne do të paguajmë mbrapsht investimin. Ky është sistemi që kemi zgjedhur. Pala tjetër thotë që do ta bëjmë taksën e sheshtë 9%, por kjo është një taksë për të pasurit. Vetëm nga taksa e sheshtë ‘oligarkët’ do të marrin direkt nga buxheti i shkollave, spitaleve, etj, mbi 59 milionë euro, të cilat sot i fusin në buxhet si taksë. Kaq e thjeshtë është. Problemi i madh që kemi këtu është hendeku mes fakteve, shifrave, dhe perceptimeve që krijohen nga propaganda, dezinformomi, padituria, por dhe te predispozimi i njeriut për të besuar më shumë te gënjeshtra. Unë nuk besoj që qeveria e Shqipërisë është në një kërcënim të tillë, sa i përket sovranitetit të vendimmarrjes.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *