Një barazim dhe më pas tre humbje radhazi në kampionat kanë nxjerrë Marseillen jo vetëm jashtë garës për titull, por edhe jashtë luftës për një vend në zonën Champions, ndërsa kjo nuk është kapërdirë aspak mirë nga tifozët e skuadrës.
Kështu ditën e djeshme një numër i konsiderueshëm i fansave marsejezë shkuan në qendrën stërvitore të skuadrës dhe bënë një protestë të frikshme, me tymuese, flakadanë, kore ofenduese ndaj shoqërisë e lojtarëve dhe një zjarr të madh në hyrjen kryesore.
Policia e qytetit ndërhyri për t’i shpërndarë dhe pas një përplasjeje aspak paqësore, arriti të vërë në pranga 25 ultras, ndërsa drejtuesit e klubit bënë kërkesë për shtyrjen e ndeshjes ndaj Rennes, e planifikuar për mbrëmjen e sotme.
Federata Franceze dhe klubi i Rennes pranuan menjëherë kërkesën, pasi në kushtet e një tensioni të lartë me ultrasët, do të ishte e vështirë që Marseille të organizonte si duhet ndeshjen dhe do të vihej në rrezik edhe shëndeti i futbollistëve.
Ndërkohë mediat në Francë flasin edhe për një përplasje mes Florian Thauvin e Dimitri Payet në dhomat e zhveshjes, ndërsa trajneri portugez Andres Villas-Boas ka deklaruar se nuk do të rinovojë kontratën me klubin dhe do të largohet në fund të sezonit.