Vendosni fjalën kyçe....

LSI-ja prezanton në Berat kandidaten për deputete, kontribut në mësimdhënie dhe biznesin fason


Drejtuesi politik i LSI-së i qarkut të Beratit ka prezantuar ditën e sotme një nga kandidatet për deputete për zgjedhjet e 25 prillit.

Esmeralda Qirko do jetë kandidatja për Qarkun e Beratit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Në përshkrimin që i ka bërë drejtuesi politik Ardit Çela, kandidatja ka shërbyer në mësimdhënie dhe prej 27 vitesh kontribuon në sektorin e biznesit fason.

Kënaqësi e veçantë sot për mua dhe LSI Berat, të prezantonim Znj. Esmeralda Qirko, përfaqësuesen e ardhshme të LSI në parlamentin e ardhshëm. Znj. Qirko është një intelektuale, një përfaqësuese e jashtëzakonshme e vlerave dhe qytetarisë beratase.

Znj. Esmeralda Qirko është një grua me kurajo, energjike, dhe ne jemi të bindur se do të jetë përfaqësuese e denjë e qytetarisë dhe gruas beratase, e sipërmarrjes së ndershme, e sidomos edhe e biznesit fason. Si mësuese e matematikës, Esmeralda ka shërbyer në misionin fisnik të mësimdhënies për vite me radhë në Berat. Prej rreth 27 vitesh, ajo kontribuon në sektorin e biznesit fason dhe është një nga sipërmarrëset më të suksesshme e të ndershme të këtij sektori që punëson me mijëra familje në Berat e në të gjithë Shqipërinë. Sot është një ditë e bukur për LSI. Sot është një ditë e bukur për Beratin. Vazhdojmë me vendosmëri rrugën tonë! LSI rritet përditë”- shkruan ai.

Në këtë qark nga LSI-ja janë larguar Nasip Naço dhe Gledion Rehovica të cilët kanë qenë deputetë në këtë qark ndërsa i janë bashkuar Partisë Socialiste.

Ditën e djeshme nga LSI-ja u larguan edhe rreth 100 mbështetës për të cilën nga drejtuesit e kësaj force politike në këtë qark u tha se janë të afërm të Rehovicës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *