Klubi i Barcelonës thotë se do të ndërmarrë “veprime ligjore” kundër gazetës spanjolle “El Mundo” pasi ajo publikoi detaje të kontratës prej 492 milion paundësh me Lionel Messin.
Barcelona mohoi “çdo përgjegjësi për botimin e këtij dokumenti”, siç shkruan BBC.
Sipas gazetës El Mundo, kontrata katër-vjeçare e Messit kishte një vlerë të mundshme prej 555,237,619 eurosh deri më 30 qershor të vitit 2021. Kjo do të thotë që sulmuesi argjentinas do të merrte deri në 123 milion paund në sezon.
Barcelona tha në një deklaratë se: “FC Barcelona kategorikisht mohon çdo përgjegjësi për botimin e këtij dokumenti dhe do të ndërmarrë veprime të duhura ligjore kundër gazetës El Mundo, për çdo dëm që mund të shkaktohet si rezultati i këtij botimi”.
Po ashtu thuhej se klubi “shpreh mbështetjen absolute për Lionel Messin, veçanërisht përpara çdo përpjekje për të diskredituar imazhin e tij dhe për të dëmtuar marrëdhënien e tij me njësinë ekonomike ku ai ka punuar për t’u bërë lojtari më i mirë në botë në historinë e futbollit.“
Messi u bashkua me Barcelonën në moshën 13-vjeçare por bëri një kërkesë transferimi në muajin gusht të këtij viti, çështje e cila ka tërhequr shumë vëmendjen e medieve.
Mbetet e pasigurt nëse ai do të mbetet me klubin kur kontrata e tij mbaron në verë.