Në konferencën e sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, zv.Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli foli lidhur me mundësinë e kthimit të studentëve në auditore për të kryer provimet e sezonit.
Ajo tha se ky opsion po vlerësohet pavarësisht rritjes së lartë të numrit të infektimeve dhe se deri në fund të kësaj jave, do të ketë një vendim për këtë.
“Në lidhje me kërkesën e Universiteteve që meqë hyjnë në sezonin e provimeve, t’i zhvillojnë ato nëpër auditore, po punojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar mundësitë konrete të këtij realizimi dhe patjetër që do të kemi një vendim të shpejtë, maksimumi deri në fund të kësaj jave.”- tha zv.ministrja Rakacolli.
Ajo po theksoi se ky është një moment delikat ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat dhe të përdorin maskat e fytyrës.