Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk do ngremë salla torturash! Kandidatët që gënjejnë mbajnë vetë përgjegjësi”- Si i përgjigjet Rama apelit të ambasadores Kim


Kryeministri Edi Rama e konsideron përgjegjësi personale të çdo kandidati, nëse një kandidat për deputet rezulton i dënuar apo me të shkuar kriminale dhe jo të partisë apo kryetarit të saj.

Pas mbledhjes që u mbajt mëngjesin e sotëm, Rama u pyet lidhur me apelin e ambasadores amerikane Yuri Kim, ndaj liderëve të partive për të verifikuar kandidatët për deputetë dhe paralajmërimeve se kryetarët do të mbajnë përgjegjësi për ta.

Por ndryshe nga Kim, Rama beson se kjo nuk është përgjegjësi që duhet ta mbajnë liderët e partive, por është përgjegjësi individuale e kandidatit që gënjen dhe ai shprehet se nuk do të ngrejë “salla torturash” për këta.

“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale, nuk është përgjegjësi partie. Partitë nuk janë drejtori policie, partitë verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. Pastaj nëse dikush merr përsi[për të shkojë përballë drejtësisë duke bërë deklarime të rreme, është krejtësisht individuale.

Nuk kemi asnjë mundësi të ngremë salla torturash nëpër selitë e partive nëse dikush fsheh diçka që figuron në letrat që janë në dispozicion. Ne shohim letrat që janë në dispozicion dhe bëjmë atë që bëjmë ne.”- theksoi kryeministri Rama.

 Kujtojmë se ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim, vazhdimisht i ka paralajmëruar liderët e partive nëse në listat e tyre për deputetë do të përfshihen dhe kandidatë të inkriminuar.

“Ndërsa partitë përgatiten për zgjedhjet, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre. Ju lutemi kontrolloni kandidatët tuaj – mos fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin.”- shkruante ambasadorja Kim pak kohë më parë, thirrje të cilën  e ka përsëritur në çdo rast.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *