Vendosni fjalën kyçe....

10 premtimet që bëri Basha sot për Arsimin: Ju do më gjykoni


Paraditen e sotme kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi Programin e Arsimit të partisë së tij, për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas Bashës bëhet fjalë për një plan që pas shumë muajsh punë edhe ekspertizë të lartë, ai “është më i miri për Shqipërinë”.

Basha u zotua se nuk do të kishte më premtime boshe apo të pambajtura dhe se mban përgjegjësi të plotë për këto angazhime.

Ai madje tha se nëse nuk i mban premtimet si kryeministër, nuk mund të kandidojë më për një mandat të dytë pas katër vitesh.

“Është angazhimi që ndërmarr ndaj jush me përgjegjësinë më të lartë.

Një kryeministër që nuk i mban zotimet, pas 4 vitesh nuk mund të kandidojë më për mandat të dytë.

Unë do t’i mbaj angazhimet e mia! Ju jeni ata që do më gjykoni nesër.”- deklaroi kryedemokrati.

Disa nga premtimet e tij tha se do të mundësojë tekste shkollore falas për arsimin parauniversitar, rritje të pagave për mësuesit e pedagogët, kurse falas për gjuhët e huaja, laptopë e tablet për nxënësit, praktika të paguara për studentët.

Më poshtë keni të renditura disa nga PREMTIMET KRYESORE të Bashës për Arsimin.

  • Tekste shkollore të reja falas

Basha premtoi se do të siguronte tekste shkollore falas për nxënësit e arsimit parauniversitar të familjeve në nevojë.

“Angazhohem se do të siguroj tekste shkollore të reja falas, për 350 000 nxënës.

Po kështu fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paket shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Nuk do të lëmë asnjë fëmijë pa ndihmuar.”- u shpreh Basha.

  • Tableta dhe kompjutera për çdo familje

Basha mes të tjerash përmendi dhe zhvillimin e mësimit online gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë, ku shumë prindër u gjendën përballë vështirësisë për t’u mundësuar fëmijëve të tyre, një kompjuter apo tablet për të ndjekur mësimin.

Kështu kryedemokrati merr përsipër që për katër vite, t’u mundësojë çdo familjeje pasjen e një kompjuteri, laptopi apo tableti në shtëpi.

“Kjo periudhë e tmerrshme e pandemisë, nxori zbuluar se si kjo qeveri ka vetëm fjalë dhe premtime boshe. Qeveria i detyroi fëmijët të mësonin nga shtëpia, kur shumë prej tyre nuk kanë as tabletë, as leptop, as kompjuter! Prandaj shumë fëmijë shqiptarë rrinë sot në shtëpi duarkryq dhe të përjashtuar, sepse kjo qeveri e shkëputur nga njerëzit, nuk e di që ata s’i kanë mundësitë të mësojnë nga shtëpia.

Ne do ta ndryshojmë këtë!

Unë angazhohem që brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tabletë, leptop ose kompjuter në shtëpi.”- u shpreh Basha.

  • 700 Euro paga për mësuesit

Basha mes të tjerash premtoi n jë rritje të pagave të mësuesve, duke thënë se s’mund të paguheshin më pak se 700 euro në muaj.

“Nëse fëmijët janë e ardhmja jonë, atëherë përgjegjësit për këtë të ardhme janë mësuesit e fëmijëve tanë. Ata meritojnë më shumë. Po ama vërtet më shumë. Dhe unë angazhohem që t’u jap më shumë. Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar.”- tha Basha.

  • Program pas-shkollor dhe ushqim për fëmijët

Mes të tjerash, një tjetër premtim i Bashës lidhur me arsimin është ofrimi i një progrsami passhkollor për fëmijët, ku mund të qëndrojnë, të ushqehen dhe të studiojnë ndërkohë që prindërit e tyre janë në punë.

“Angazhohem që nëpërmjet programit ‘Shqipëria fiton arsimin’ ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra dhe do t’i mbajë fëmijët të sigurtë në shkollë dhe larg rrugëve.”- premtoi Basha.

  • Kurse falas për gjuhët e huaja

Një tjetër premtim ishte ai për të mundësuar kurse private falas për gjuhët e huaja për çdo person deri në moshën 35-vjeçare.

“Do të ofroj për çdo të ri dhe çdo të rritur shqiptar deri në 35 vjeç kurse private pa pagesë të platformës së mirënjohur amerikane Wducation World Wide për 5 gjuhë të huaja—anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht! Të rinjtë tanë në shkolla dhe ata në tregun e punës duhet dhe do të jenë gati për investimet e mëdha që do të vijnë në Shqipëri me qeverinë e re, do të jenë gati për të mbushur vendet e reja të punës në turizëm, në prodhim, IT apo shërbime.”- tha kreu i PD-së.

  • Bursa dhe gjysmë-bursa për çdo studentët

Basha premtoi gjithashtu bursa të plota dhe gjysmëbursa për studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta.

“Ne do të paguajmë plotësisht koston e tarifave të ciklit të parë apo të dytë të studimeve pasuniversitare për çdo studentët dhe studente që vjen nga familje me të ardhura nën 64.000 Lekë të vjetra në muaj. Dhe ne do të financojmë 50% për studentët nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj.”- deklaroi kreu i opozitës.

  • Praktika pune të paguara

Një nga premtimet më të rëndësishme për studentët, që Basha bëri sot ishte dhe ai për praktikat e paguara.

“Përsëris sot angazhimin tim para studentëve shqiptarë se me qeverinë e re të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ne do të paguajmë 10 mijë stazhe 12 mujore për studentët më të mirë çdo vit.”- u shpreh kryedemokrati.

  • Pavarësi për Universitetet

Kreu i opozitës tha do të garantojë pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike.

 “Unë angazhohem se do garantoj pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike, duke e miratuar menjëherë sapo të zgjidhem kryeministër ligjin e ri për arsimin e lartë, në bashkëpunim me akademikët, specialistët më të mirë dhe vetë studentët dhe në përputhje me standardet dhe parimet më të avancuara bashkëkohore europiane.”– tha Basha.

  • Rritje pagash dhe për pedagogët e profesorët

Basha premtoi gjithashtu se do të kishte rritje pagash deri në 900 eurosh në muaj për pedagogët dhe 1300 euro për profesorët.

Angazhohem se do të rrisim pagat me 50%, duke ju garantuar pedagogëve shqiptarë paga prej 900 Euro në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro.”- tha Basha.

  • Grante për Universitetet Publike

Kryedemokrati u zotua se do të ofronte dhe grante për Universitetet Publike që sipas tij do të rrisin nivelin e studimeve dhe modernizojnë infrastrukturën për pedagogët e studentët.

“Grante për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, është angazhimi tjetër i qeverisë tonë për modernizimin e infrastrukturës fizike e pedagogjike. Ofrimi i arsimit të lartë të digjitalizuar, me investim në vlerën 36 milionë euro, me fokus laboratorët e parqet e teknologjisë së informacionit, zona me internet falas dhe pajisje të teknologjisë së informacionit, që do të përdoren falas nga pedagogët dhe studentët pa pagesë.”- tha Basha./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *