Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë një postim pas takimit që zhvilloi mëngjesin e sotëm me farmacistë dhe pacientë në Tiranë.
Ai thotë se këta i kanë shprehur atij shqetësimet e tyre lidhur me çmimet e larta të barnave, cilësinë e tyre dhe për mungesën e subvencionimit. Basha thotë se me ardhjen e tij në pushtet, pacienti do të vendoset në qendër të sistemit të ri shëndetësor.
“Pata kënaqësinë të bisedoja nga afër për programin tonë për shëndetësinë, me një grup profesionistësh nga Urdhëri i Farmacistëve të Shqipërisë dhe me disa pacientë. Të gjithë flasin të shqetësuar për çmimet e papërballueshme për cilësinë e barnave dhe për mungesën e subvencionimit për shumicën prej tyre.
U shpjegova qytetarëve se si ndryshimet ligjore e strukturore që kemi planifikuar, do të vënë pacientin në qendër të sistemit të ri shëndetësor sipas parimit ‘Paraja Ndjek Pacientin’. Do të ndalojmë rreptësisht hyrjen e medikamenteve të pasigurta dhe do të garantojmë që me kartën e pacientit, gjithkush të zgjedhë ku do të vizitohet, ku do të trajtohet dhe ku do të marrë ilaçet. Për çdo sëmundje, do të ketë një protokoll me ilaçet e dedikuara të rimbursueshme. Nuk do të ketë të përjashtuar nga sistemi ynë i kujdesit shëndetësor.”– shkruan Basha.
Kryedemokrati shton se do të shpëtojë tregun nga mafia e ilaçeve dhe se do të rikthejë konkurencën e ndershme në këtë sektor.
“Profesionistët e Urdhrit te Farmacistit më njohën me punën e vështirë që po bëjnë këto kohë të vështira. Statusi i tyre duhet mbrojtur dhe angazhimi ynë është i qartë në këtë drejtim. Ne do ta shpëtojmë tregun nga mafia e ilaçeve dhe do të kthejmë konkurrencën dhe profesionalizmin në qendër të këtij sektori.
Më 25 prill, shqiptarët do të votojnë për t’i dhënë fund kontrollit mafioz të tregut të ilaçeve dhe për të kthyer sigurinë e medikamenteve. Me programin tonë për shëndetësinë, Shqipëria do të fitojë shëndetësinë dhe medikamente të standardeve europiane. Pacientët shqiptarë do të vihen në qendër të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe fitojnë ilaçe të rimbursuara për çdo diagnozë. Më 25 prill, Shqipëria fiton dhe Rama humb.”- shton kryedemokrati.