Ministria e Arsimit në Kinë ka vendosur t’ua ndalojë fëmijëve përdorimin e telefonave në shkollë.
Siç shkruan BBC, nxënësit nuk do të lejohen të sjellin celular në shkollë pa sjellë me shkrim se kanë marrë pëlqimin prindëror.
Autoritetet thonë se ata duan të mbrojnë shikimin e të rinjve, të përmirësojnë përqendrimin e tyre në mësim dhe të parandalojnë varësinë nga interneti.
Shkollat inkurajohen të gjejnë mënyra të tjera që prindërit të komunikojnë me fëmijët gjatë ditës.
Sipas një prej gazetave të vendit, China Daily, ka pasur një debat të ashpër midis prindërve mbi këtë vendim.
Shumica dërrmuese e fëmijëve dhe adoleshentëve në Kinë hyjnë në internet përmes telefonave të tyre. Sipas Qendrës së Informacionit të Rrjetit të Internetit Kinë bëhet fjalë për 74% të të rinjve nën moshën 18 vjeç.
Por autoritetet janë të shqetësuar rreth asaj se si përdorimi i internetit po ndikon në shëndetin e të rinjve të vendit.
Ka pasur nivele në rritje të problemeve me shikimin midis fëmijëve në Kinë dhe në 2018, autoritetet njoftuan plane për të rregulluar industrinë e lojrave e cila u fajësua pjesërisht për problemin. Ata gjithashtu përmendën shqetësimet se varësia ndaj lojrave po dëmtonte shëndetin mendor.
Vitin pasues u vendosën rregulla të reja për ata nën 18 vjeç, të cilët ishin të kufizuar në 90 minuta lojë gjatë ditëve të javës dhe tre orë në fundjavë apo ditëve të pushimit.