Vendosni fjalën kyçe....

Pse nuk kandidon në më shumë se një qark? Përgjigjet Basha


Gjatë një interviste për “ABC News” pasditen e sotme, kryetari i PD-së u pyet se përse nuk e shfrytëzon kodin zgjedhor për të garuar më shumë se sa në qarkun e Tiranës.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet më parë se mund të kandidojë në Vlorë dhe në Durrës. Por Basha e konsideron këtë një mundësi të padrejtë ndërsa citon dhe Komisionin e Venecias.

“Për mua këto zgjedhje si për shumicën e Shqiptarëve nuk janë për një person apo një person tjetër apo për mundësitë për të shfrytëzuar hapësira të padrejta siç janë këto, Venecia tha që është e pa drejtë që kryetarët të garojnë në më shumë se sa një qark, por janë për t’i dhënë shqiptarëve rrugën e daljes nga kjo krizë, për ti dhënë shqiptarëve mundësinë që bashkë me 25 prill të fitojë Partia Demokratike, koalicioni, Shqipëria, çdo shqiptarë.

Këtu është gjithë fokusi dhe vëmendja ime dhe këtë mund ta shikoni në rrallë të parë tek aktiviteti im i përditshëm i cili konkretizohet me shpalosjen e planeve ekonomike, të shëndetësisë, të ekonomisë, të arsimit.

Në fakt është rezultati i një pune të gjatë në kontaktet e vazhdueshme që kam me njerëzit dhe pa diskutim edhe në angazhimin tonë që koalicioni të japi formë dhe përmasë dëshirës mbarë popullore për të larguar Edi Ramën dhe për të çliruar Shqipërinë dhe për të ndryshuar fatin e çdo shqiptari përmes programit tonë Shqipëria Fiton.”– u shpreh Basha.

Një tjetër pyetje që iu drejtua kryedemokratit lidhur me zgjedhjet, ishte nëse ish-kryeministri Sali Berisha do të kandidojë në Durrës.

Por Basha këmbënguli se nuk preferonte të fliste për këtë, pasi këto janë çështje të cilat sipas tij  javët e ardhshme do të bëhen konkrete për të gjithë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *