Qeveria shqiptare ka firmosur pak më parë kontratën për ndërtimin e hekurudhës së re Tiranë – Durrës.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video live nga momenti i formosjes së kontratës, ndërsa thekson me një mesazh me shkrim se ky është një investim strategjik që hap kapitullin e Rilindjes së Hekurudhës Shqiptare.
“LAJM I MIRË – Pas më shumë se 3 vjetësh projektim, procedura financimi dhe garë ndërkombëtare firmosim kontratën për ndërtimin e hekurudhës së re Tiranë – Durrës.
Një investim strategjik që pas dekadash të tëra boshllëku hap kapitullin e Rilindjes së Hekurudhës Shqiptare, me një aks prioritar që përkon edhe me vizionin e Metropolit Europian Tiranë-Durrës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, firmos kontratën për fillimin e punimeve.”– shkruan kryeministri.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është shprehur se ky një investim strategjik që pas dekadash të tëra boshllëku hap kapitullin e rilindjes së Hekurudhës Shqiptare, me një aks prioritar që përkon edhe me vizionin e Metropolit Europian Tiranë-Durrës.
Balluku thotë se punimet do përmbyllen në verën e vitit 2023 dhe do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve nga Durrësi në Tiranë dhe anasjelltas.
“Morën pjesë 22 kompani që ofertuan. Sigurisht duke pasur tani një fitues që ndodhet këtu sot, kompania e madhe italiane INC-SPA një kompani me eksperiencë shumë-vjeçare. Punimet do të mbyllen brenda një afati 30-mujor ose e thënë ndryshe brenda verës së vitit 2023.
MIE angazhohet se do të ndjekim ecurinë e projektit për të siguruar dhe lehtësuar të gjithë procesin dhe sigurisht arsyeja e dytë për të ofruar transparencë të plotë dhe për të siguruar një bashkëpunim të mirë mes palëve.”– u shpreh Balluku.