Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i ri i Pentagonit urdhëron largimin e qindra personave të emëruar “minutën e fundit”


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka urdhëruar me qindra anëtarë të bordeve këshillimore të Pentagonit të japin dorëheqjen këtë muaj. Masa është pjesë e një rishikimi të gjerë të bordeve, duke hequr në thelb disa dhjetra zyrtarë, të cilët u emëruan në minutën e fundit gjatë administratës Trump.

Gjatë dy muajve të fundit të mandatit të tij, ish-sekretari i përkohshëm i Mbrojtjes Christopher Miller largoi prej bordeve për politikat e mbrojtjes, shëndetësisë, shkencës dhe biznesit, një numër anëtarësh që shërbenin aty prej një kohe të gjatë, duke i zëvendësuar shumë prej tyre me besnikë të ish-Presidentit Donald Trump.

Më shumë se 30 prej atyre që u emëruan së fundmi, do të detyrohen të japin dorëheqjen, mes tyre ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve republikani Newt Gingrich, gjenerali në pension Anthony Tata si dhe ish-menaxheri i fushatës së zotit Trump, Corey Lewandowski, raporton Zëri i Amerikës.

Në fillim të vitit të kaluar Anthony Tata, ish-komentator për rrjetin teleleviziv Fox News, nuk arriti të merrte konfirmimin në Senat për një detyrë të rëndësishme, atë të nën Sekretarit të Mbrojtjes për Politikat, për shkak të komenteve fyese që ai ka bërë, përfshirë edhe ndaj fesë islame.

Megjithatë në nëntor, zoti Trump e emëroi atë në të njëjtin post, vetëm disa ditë pasi pushoi nga puna sekretarin e atëhershëm të Mbrojtjes Mark Esper dhe vendosi në këtë detyrë zotin Miller.

Zoti Miller e emëroi zotin Tata në Bordin e Politikave të Mbrojtjes më 19 janar, që përkon me ditën e tij të fundit të plotë në detyrë për shkak ardhjes së admistratës së re. Zoti Gingrich u emërua në të njëjtin bord ndërsa zoti Lewandowski u emërua në Bordin e Biznesit të Mbrojtjes.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes tha se vendimi i sekretarit Austin ishte pasojë e veprimeve të nxituara të zotit Miller për të larguar me dhjetra anëtarë bordesh e për t’i zëvendësuar ata brenda një kohe të shkurtër, gjatë periudhës së tranzicionit nga një administratë në tjetrën.

Nga 42 grupe këshilluese gjithsej, ndryshimet do të prekin vetëm 31 prej tyre, gjashtë do të jenë pjesë e rishikimit, por anëtarët e tyre do të mbahen ndërsa për pesë të tjerë ato ose nuk kanë asnjë anëtar, ose e kanë përfunduar veprimtarinë e tyre. Në mesin e 31 bordeve përfshihen disa nga më të rëndësishmet e departamentit të mbrotjes, sikurse ato me fushë veprimi në politikën e mbrojtjes, shkencës, shëndetit, risive, Varrezave Kombëtare të Arlingtonit si dhe politikat mbi gratë në ushtri.

Të 42 bordet kanë më shumë se 600 anëtarë. Zyrtarët e mbrojtjes thonë se nuk e dinë saktësisht se sa personave po u kërkohet të japin dorëheqjen, por sipas tyre do të jenë me qindra.

Bordet e këshilltarëve të jashtëm të Akademisë Ushtarake, Marinës dhe Forcave Ajrore do t’i mbajnë anëtarët e tyre, sepse ato janë emërime të presidentit që zoti Austin nuk ka autoritetin t’i ndryshojë. Mes të emëruarve nga ish-Presidenti Trump që do të qëndrojnë në ato borde janë ish-sekretari i tij i Shtypit Sean Spicer dhe këshilltarja e tij prej një kohe të gjatë Kellyanne Conway. Megjithatë edhe këto borde do t’i nënshtrohen rishikimit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *