Të tjera detaje zbulohen lidhur me ngjarjen e rëndë ku një 33-vjeçar u soll nga Spanja pa zemër në Tiranë. Motra e Saimir Sulës, Majlinda Sula ka vendosur të flasë në një program televiziv për ngjarjen e rëndë, ku i bën thirrje dhe shtetit shqiptar që të ndërhyjë.
E ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, Majlinda Sula është shprehur e bindur se vëllanë e saj e kanë vrarë. Ajo ka rrëfyer me detaje të gjithë historinë dhe motivet se përse dyshon te spitali ‘Hospital del Mar’ në Barcelonë.
E hidhëruar dhe e tronditur për ndarjen nga jeta të të vëllait, aq më tepër në këto rrethana, Majlinda Sula tregon gjithë historinë se si vëllai u shtrua në spital, çfarë bisedoi me të, dyshimet e saj ndaj spitalit dhe përballjen e saj me ligjin në kërkim të drejtësisë.
Ajo thotë se 33-vjeçari nuk kishte shfaqur më parë probleme as me zemrën dhe as me mushkërinë. Ai thjesht kishte shkuar në spital “me këmbët e tij”, për të bërë një test COVID-i pasi kishte pasur temperaturë të lartë.
Dyshimet e familjes Sula dhe rezultatet e autopsisë
Fillimisht Majlinda dhe familjarët e saj kanë dyshuar se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve në Spanjë. Mirëpo pas autopsisë së kryer në Shqipëri më 27 maj (18 ditë pas ndarjes nga jeta) kanë zbuluar se zemra mungonte dhe kanë lidnur dhe dyshimet për trafik organesh.
Ndërkohë përgjigja e autopsisë spanjolle nuk ka mbërritur ende.
“Pasi vëllai ndërroi jetë, një ditë pasi ne telefonuam familjarët në Shqipëri, bëmë një kallëzim se ne dyshonim që mund të kishte ndryshuar jetë për shkak të neglizhencës, denoncimi u bë nga familjarët në Tiranë, kërkuam që të bëhej një autopsi e dytë përpara varrimit. Në Spanjë nuk e dinim nëse i ishte marrë zemra. Në Spanjë bëhen 3 autopsi, një kur ndërron jetë, një paraprake, bëjnë marrjen e mostrave dhe pastaj del ajo që quhet përfundimtare. Tek autopsia që kemi nga autoritetet shqiptare, ajo na thotë që ka pasur insuficencë kardiorespiratore. Kur telefonoj mjekësinë ligjore në Spanjë thonë që arsyeja është COVID, mund të vonojë nga 6-1 vit, jemi në muajin e 8. Ndoshta mund të ketë dalë tani kur është dërguar një letërporosi, do shkoj në Spanjë të premten dhe do paraqitem tek mjekësia ligjore.
9 maj 2020 na thanë se vëllai kishte ndërruar jetë për shkaqe të panjohura. Në spitalin e Spanjës vranë vëllain tim, se nuk kishte probleme me zemrën dhe as me mushkërinë, hyri në spital për të bërë test COVID, doli negativ dhe nuk kishte asnjë arsye për të ndjenjur aty, hyri me këmbët e veta. Nëse nuk do kishte temperaturë nuk do të shkonte aspak në spital, kur kaluan 20 orë dhe na thonë ndërroi jetë, por nuk e dimë pse, normal që ne dyshuam, dyshuam te spitali, dyshuam edhe te autopsia, dhe e sollëm trupin në Shqipëri dhe bëmë kallëzimin. Autopsia në Shqipëri është bërë me 27 maj, se trupi erdhi pas 18 ditësh, e kanë varrosur familjarët se ishte karantinë dhe ne nuk mund të udhëtonim, unë erdha një muaj më pas. I është bërë autosia që i kanë bërë ekspertët shqiptarë, normalisht nuk është e njëjta, kur s’ke zemrën si mund të ekzaminosh dhe të thuash nga se ka ndërruar jetë. Nuk e dyshoja se e mund ta kenë vrarë për trafik të organeve, doktoresha Petit e shkruan në kartelë, ‘i bëra një gjilpër qetësuese dhe në pak sekonda i pushoi zemra’, ne menduam që mund të ketë pushuar zemra nga mbidoza e gjilpërës, vëllai im ka përdorur këtu në Shqipëri gjilpërë aloperidol, është një anti psikotik qetësues, ka shumë më të mirë se ky ilac, por nuk e di pse e përdorën këta.”, tregon ajo, citon Shqiptarja.com.
Spitali në Barcelonë me shumë denoncime
Majlinda Sula tregon në program se ndaj spitalit ‘Hospital Del Mar’ në Barcelonë ka patur denoncime të shumta për neglizhencë. Një detaj që ia ka shtuar akoma më shumë dyshimet.
“Është spital publik se ne morrëm 061. Por ka shumë denoncime nga njerëzit për neglizhencë mjekësore. Ka shumë. Është një nga spitalet që ka më shumë denoncime në vend.”– shprehet Sula.
Telefonata e fundit
Ndërkohë ajo tregon dhe bisedën e fundit që ka bërë me të vëllanë.
“Përpara se të merrnim vesh mungesën e zemrës mendonim e vranë për neglizhencë, tani që mësuam se i mungon zemra nuk e di se çfarë të mendoj (…) Ishte i tmerrosur, ‘po më marrin shpirtin’, më tha. E kishin lidhur në një krevat, dhe më tha thuaji asaj vajze që të më lirojë pak se nuk po marr dot frymë. Dhe besoj se ajo vajza e liroi pak. Nuk e di. Kjo ishte biseda ime e fundit dhe pas disa orësh ndërroi jetë. Më tha: ‘hajde më merr, nuk kam Covid’.”– tha Sula.
4 ditë në terr informativ
Sula tregon se nga data 9 maj të vitit 2020 kur i vëllai ndërroi jetë, dhe deri më 13 maj kur trupi është tërhequr nga agjencia funerale, ajo nuk e di se ku ka qëndruar trupi i pajetë i Saimirit, në spital apo në morgun e shtetit.
“Të premten e lashë në spital, pastaj nuk di nëse të premten e çuan në morgun e shtetit apo pritën të hënën, i është bërë një autopsi të hënën, më 12 maj, kam një kopje, ku shkaku thotë në fund është i panjohur dhe të martën kemi shkuar jo për ta marrë ne vetë se nuk lejohet, por për të autorizuar funeralin që të tërheqë trupin dhe ta sjellë në Shqipëri.”- ka treguar Sula në “Report TV”.
Apeli për shtetin
Motra e 31-vjeçarit Saimir Sulës, Majlinda ka një apel për Ministrinë e Jashtme dhe ambasadën shqiptare në Spanjë që të reagojnë dhe të ndërhyjnë për zbardhjen e plotë të këtij rasti kaq të rëndë.
Ajo bëri dhe një krahasim me rastin e përplasjes së biznesmenit Mihal Kokëdhima me disa turistë spanjollë, ku sipas saj i gjithë shteti shqiptar u ngrit në këmbë edhe pse nuk pati asnjë viktimë.
“Kam shumë lodhje fizike dhe mendore. Ndoshta do i bëja thirrje ministrisë së Jashtme, para disa kohësh pas në lajme dha që disa turistë spanjoll patën një sherr në një restorant dhe askush nuk ndërroi jetë dhe ministria e jashtme ndërhyri deri në një pikë që u bë alarmante, ndërsa në rastin e vëllait tim ndërroi jetë. Po vetëm ai vdiq, ne thjesht marrim frymë, jo vetëm jetojmë. Na vranë të gjithë ne, do i bëja thirrje ministrisë së jashtme dhe ambasadës shqiptare në Spanjë që ta shikojnë si rast për të na ndihmuar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje.”, u shpreh Majlinda Sula.
33-vjeçari Saimir Sula jetonte në Spanjë me motrën e tij. Më 8 maj të vitit 2020 ai kishte patur temperaturë dhe ishte paraqitur në spital për të kryer një test COVID-i.
Atje u verifikua se nuk kishte COVID, pasi testi doli negativ, megjithatë qëndroi në spital atë natë. Kur motra e tij shkoi për ta marrë nga spitali të nesërmen, i komunikuan se zemra e tij kishte ndaluar.
Ka qenë insistimi i saj për të kryer autopsinë në Spanjë dhe në Shqipëri, për të zbuluar më pas se të vëllait i mungonte zemra.
Sula tha se nuk ka kryer kallëzim penal në Spanjë pasi avokati i saj spanjoll është shprehur se nuk kanë marrë autopsinë nga autoritetet vendase atje./Hashtag.al