Themeluesi i kompanisë ‘Amazon’ Jeff Bezos do të largohet nga posti si shefi ekzekutiv i gjigandit të tregtisë elektronike që ai e filloi në garazhin e shtëpisë së tij gati 30 vjet më parë.
Ai tani do të bëhet kryetar ekzekutiv, një gjë që sipas tij do t’i jepte “kohë dhe energji” për t’u përqëndruar në sipërmarrjet e tij të tjera.
Siç shkruan BBC, Bezos tani do të zëvendësohet nga Andy Jassy, i cili aktualisht drejton biznesin e kompjuterit në Amazon.
Kompania tha se ndryshimi do të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit 2021.
“Të jesh CEO-ja i Amazon është një përgjegjësi e thellë dhe është konsumuese. Kur ke një përgjegjësi të tillë, është e vështirë të kesh vëmendje për ndonjë gjë tjetër.”– tha Bezos në një letër drejtuar stafit të Amazon të marten, citon BBC.
“Si Kryetar ekzekutiv unë do të qëndroj i angazhuar në iniciativa të rëndësishme të Amazon, por gjithashtu do të kem kohën dhe energjinë e nevojshme për t’u përqëndruar në Fondin Dita 1, Fondin e Tokës Bezos, Blue Origin, Washington Post dhe pasionet e mia të tjera.”– vijon më tej letra.
Bezos ka një pasuri prej gati 200 miliardë dollarësh, e ka drejtuar kompaninë Amazon që nga fillimi i saj si një dyqan librash në internet në vitin 1994. Firma tani punëson 1.3 milion njerëz në të gjithë botën dhe merret me gjithçka, nga shpërndarja e paketave dhe transmetimi i videove te shërbimet në cloud dhe reklamat.