Pekini ka thënë se vazhdon të vëzhgojë me kujdes manovrat ushtarake amerikane pranë territorit kinez dhe Tajvanit, duke paralajmëruar se Kina është e gatshme t’u përgjigjet kërcënimeve dhe provokimeve amerikane.
Duke folur të enjten, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze, Wang Wenbin, u tha gazetarëve se Pekini kishte ndjekur me kujdes kalimin e një anijeje luftarake amerikane përmes ngushticës së Tajvanit më herët të njëjtën ditë.
“Kina do të vazhdojë të mbajë një nivel të lartë gatishmërie në çdo kohë, e gatshme t’u përgjigjet të gjitha kërcënimeve dhe provokimeve në çdo kohë dhe të mbrojë me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.” – deklaroi Wang.
“Shpresohet që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol konstruktiv për paqen dhe stabilitetin rajonal, jo anasjelltas.” – shtoi ai.
Të enjten, luftanija amerikane ‘USS John S. McCain’ kaloi përmes ngushticës së Tajvanit, udhëtimi i parë i marinës amerikane për vitin 2021.